Rama: “Po na prekët 1 cm tokë, Shqipëria e Kosova bashkë në luftë kundër Serbisë”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u shpreh i vendosur se nëse Serbia prekte qoftë edhe 1 centimetër të territorit të Kosovës, Shqipëria e Kosova do të ishin të gatshme t’i kundërpërgjigjeshin.

I ftuar në emisionin “Zona e Debatit” në Klan Kosova, Rama tha se “shqiptarët, Shqipëria dhe Kosova, janë bashkë për të promovuar paqen, por edhe për të mbrojtur integritetin territorial.

Nëse serbët duan të hipin nëpër trena që i cojnë ata prapa në histori, por nuk i prekin asnjë fije floku Kosovës, ne nuk kemi ç’u bëjmë. Por nëse duan të cënojnë një centimetër të territorit tonë, jemi të gatshëm të përgjigjemi” tha Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare shtoi se provokimet e Serbisë janë shpërfaqje e një ideologjie të prapambetur“Praktikisht çështja e territorit të Kosovës është mbyllur ditën kur është firmosur pavarësia e saj. Të dy vendet tona janë vendosmërisht krahpërkrah për të promovuar paqen. Janë krahpërkrah edhe për të mbrojtur integritetin.

Nuk ka shans që Kosova të cënohet qoftë edhe në një centimetër katror të territorit të saj. Ai mur nuk është se sfidon realisht sovranitetin e Kosovës. Është shfaqje brutale e një ideologjie shumë të prapambetur.

Jam i bindur që pavarësisht si do të dalë në fund kjo histori, nuk është e tillë ku pala tjetër duket mirë. Ne jemi në anën e duhur të historisë, dhe e duhura është ana e urës, jo e murit”.

Loading...