National Geographic Travel artikull dedikuar Shqipërisë – “Shqipëria, fqinja jonë e bukur”

Nuk kanë mjaftuar as krizat politike dhe as tymuset e hedhura në bulevard për të “prishurin” imazhin e vendit tonë, përtej Adriatikut e më gjerë, ku sipas revistës prestigjioze italiane “National Geographic Travel”, e ka cilësuar Shqipërinë: fqinja jonë e bukur.

Vendi ynë është renditur në disa prej vendeve më tërheqëse të momentit dhe i është dedikuar një artikull i veçantë e të gjatë, i cili tashmë është në dorën e lexuesit kureshtar e të “huaj”.

Di Francesca Masotti
Artikulli:

Kënga e hoxhës thyen heshtjen surreale në të cilën është përfshirë qendra historike e Beratit. Ajo vjen që nga Xhamia e Mbretit, e ndërtuar në fund të viteve 1400 me kërkesë të sulltanit osman Bajazidi II, që ndryshe quhej “i urti”, për kulturën e tij dhe që u dallua për politikën e pritjes së hebrenjve të përndjekur në vitin 1492 nga Spanja, të cilëve u lejoi të vendoseshin në territoret e Perandorisë Osmane, pra edhe në Shqipërinë e sotme. Rreth pesë shekuj më pas, kur vendi i vogël ballkanik kishte fituar pavarësinë nga Perandoria (1912), priti sërish një numër të madh hebrenjsh duke i ndihmuar, këtë herë, që t’i largohen çmendurisë naziste. Këtë nuk e di askush, në fakt, gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët fshehën në shtëpitë e tyre qindra hebrenj që po arratiseshin nga pjesa tjetër e Europës. Pritja e jashtëzakonshme që iu dha atyre, bazohej mbi besën, një kod nderi që përkonte dhe vazhdon të jetë edhe sot në mbajtjen e fjalës së dhënë dhe në ndihmën, duke rrezikuar edhe sigurinë tënde, ndaj cilitdo që ka nevojë për mbështetje. Vendi i vogël me mazhorancë myslimane, në kufijtë e kontinentit të vjetër, arriti atje ku të gjitha shtetet e tjera europiane dështuan. Në fund të konfliktit botëror numri i hebrenjve në Shqipëri ishte 10 herë më i lartë sesa në fillim të luftës. Edhe sot Shqipëria është një prej pak vendeve në botë ku nuk ekzistojnë paragjykimet fetare, ndonëse në vend ka tre besime kryesore.

“Pikërisht harmonia mes besimeve të ndryshme, përveç vlerës së paçmuar arkitekturore, është një prej arsyeve përse në vitin 2008 UNESCO e përfshiu Beratin në listën e trashëgimive botërore të njerëzimit”, thotë Simon Vrusho, drejtori i Muzeut “Solomoni” në Berat, i inauguruar majin e kaluar, i vetmi vend arti në vend që i kushtohet historisë së hebrenjve në Shqipëri. Në fakt, këtu, pranë xhamive të dekoruara me finesë që përkojnë me vitet 1400, ndodhen kisha orthodhokse të mrekullueshme të viteve 1300. Kështu, sa për të kuptuar më thellë shpitin e këtij qyteti dhe të gjithë Shqipërisë, pasi ke dëgjuar thirrjen islamike për lutje, nuk mund të mos lësh pa vërejtur kryeveprat e shekullit XVI të mjeshtrit të pikturës Onufrit, brenda kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, ose të hipësh në majë të kështjellës së Beratit për të admiruar kishën bizantine të “Shën Triadhës”. Nuk ka mënyrë më të mirë për të filluar një udhëtim në Shqipëri.

Qyteti i gurtë

Rruga më pas vazhdon drejt jugut, me drejtim Gjirokastrën, një tjetër xhevahir osman, një tjetër qytet në UNESCO i vendit të shqiponjave. Është vendi i lindjes së dy shqiptarëve më të famshëm të të gjitha kohëve, të diktatorit Enver Hoxha (shtëpia e të cilit sot është kthyer në Muzeun Etnografik) dhe e shkrimtarit Ismail Kadare që, përmes rrugëve me kalldrën të qendrës historike, ka përshtatur kryeveprën “Qyteti i gurtë”, për ta futur në valixhe dhe ta shfletosh ndërkohë që viziton Gjirokastrën. I gjithë qyteti është një labirinth plot surpriza. Pra mbetet vetëm që të lësh veten duke ecur ngadalë dhe duke u futur nëpër rrugicat prej guri, godinat e epokës osmane, banesat e fisnikëve, xhaminë e vjetër, që për mrekulli i ka shpëtuar procesit të shkatërrimit të godinave fetare të aplikuar nga regjimi komunist dhe pazarin antik. Çdo hap është një ftesë që t’i kushtosh gjithë kohën e nevojshme, pa nxituar dhe pa turizëm masiv fasadave të bardha të shtëpive osmane dhe ngjyrave të ndezura të qilimave, tapeteve tradicionale që shiten në pazar, ushqimit të mirë dhe panoramës. Si ajo që shfaqet nga maja e kështjellës së Gjirokastrës shtrihet në të gjithë qytetin, deri në malet e Lunxhërisë. Edhe perëndimi nuk duhet humbur, ndërkohë që Dielli ngjyros me rozë majat.

Nga antikja, tek modernia

Duke ngjitur vendin drejt veriut ndalon në Tiranë, kryeqyteti i gjallëruar i Shqipërisë. Zhurma e borive, e kantiereve, nota muzikash popullore. Aty-këtu, shenjat e së kaluarës osmane, fashiste, komuniste, deri tek skizofrenia arkitekturore e viteve ’90. Përreth, një qytet që sheh nga e ardhmja. Në kohët e fundit panorama urbane e Tiranës është transformuar, me ndërtimin e qiellgërvishtëseve dhe shtimin e hapësirave të gjelbra. Megjithatë, ndotja vazhdon të jetë një problem, por iniciativat nuk mungojnë. Si projekti për rizhvillim i studios belge 51N4E, që përfshin ristrikturimin dhe kthimin në hapësirë pedonale të sheshit “Skënderbej”, apo projektin “Tirana 2030-TR030”, plani i ripushtimit të peizazhit urban.

Pas një vizite te Kalaja e Tiranës, qendra e re artistike dhe krijuese e kryeqytetit e inauguruar dhjetorin e kaluar, duke kaluar nga Pazari i Ri, ish-tregu i peshkut i rikthyer në një zonë multifunksionale me dyqane, bare dhe restorante, nga Blloku, ish-lagja e ndaluar dhe e rezervuar vetëm për elitën politike për më shumë se 40 vite regjim komunist, që sot është një qendër e përkryer për artistë të rinj, shkohet për në Krujë, kryeqyteti antik i mbretërisë shqiptare. Këtu historia preket me dorë, sepse në këtë qytet 32 kilometra nga Tirana është shkruar një prej faqeve më të rëndësishme të historisë shqiptare. Në Krujë, në vitet 1400, udhëheqësi Gjergj Kastrioti Skënderbeu, një mbrojtës i guximshëm i besimit të krishterë, luftoi për 25 vite kundër Perandorisë Osmane për të shpëtuar Shqipërinë dhe Perëndimin nga përparimi turk. Pas një turi në muzeun që i kushtohet heroit kombëtar, ia vlen të hysh në dyqanet e vogla të pazarit historik të Krujës për të vëzhguar artizanët që punojnë kornizat, duke vajtur deri tek mauzoleu “Sarisalltik”, që i përket, për ironi të fatit, vëllazërisë islamike sufi të bektashinjve (që ka qendrën në Tiranë) që mban emrin e misionarit Sarisalltik, i cili në vitet 1300, mbërriti në Krujë për të përhapur bektashizmin dhe që, sipas një legjende antike, luftoi kundër një dragoi që kërcënonte të shkatërronte krejtësisht qytetin.

“Në pikën ku ndodhi përleshja, në nder të misionarit dhe heroit, sot është ngritur teqja e vëllazërisë fetare, që të gjithë banorët e Krujës, pavarësisht besimit që kanë, e konsiderojnë një shenjtor dhe mbrojtësin e qytetit”, tregon Alborent Rama, themelues i “Kruja Hospitality”, një hapësirë për evente kulturore, koncerte me një restorant që ndodhet në një banesë antike që ndodhet brenda mureve të kështjellës. Rruga që ngjitet deri në tempull është drithëruese, por të dhuron një pamje të jashtëzakonshme mbi qytetin dhe mbi malet. Bukuria poetike qëndron krejtësisht mbi shenjtërinë e këtij vendi. Ku mbretëron qetësia dhe ku duket se koha ka ndalur. Ose, ndoshta, nuk ka ekzistuar kurrë.

Drejt veriut

Dhe nëse zhvendosemi më në veri mbërrijmë në Shkodër, kryeqyteti kulturor i Shqipërisë, i famshëm për Kështjellën e Rozafës, Muzeun Fotografik ‘’Marubi’’ dhe Liqenin e Shkodrës, që Vendi i Shqiponjave ndan me Malin e Zi. Ballkanik dhe italian në të njëjtën kohë, Shkodra është një margaritar që shëtitet kënaqësisht më këmbë. Muzeu, në veçanti, mban arkivin fotografik të Pietro Marubbit, fotografit italian, i natyralizuar shqiptar (Pjetër Marubi) i përfshirë në plejadën rilindase të Italisë të gjysmës së dytë të Tetëqindës, që iku nga Italia dhe gjeti strehim në Shkodër, ku themeloi studion e parë fotografike në Shqipëri. Pas vdekjes së tij, la një arkiv me më shumë se 4000 negativa (disa prej të cilave u ekspozuan para pak kohësh edhe në Biennalen e Milanos), ndërkohë që aktiviteti i studios së tij vazhdoi falë përkushtimit, fillimisht të djalit të birësuar Kel Kodheli dhe pastaj të djalit të këtij të fundit, Gegë Marubi.

Nga Shkodra merret pastaj rruga SH25, e braktisur dhe dredha-dredha si një gjarpër, që të çon në pikën e imbarkimit të trageteve në Koman. Liqeni i krijuar artificialisht në fund të viteve ’70 me ndërtimin e një dige, furnizohet nga tre lumenj, Drini, Valbona dhe Shala. Përgjatë udhëtimit parakalojnë përpara syve peizazhe si nëpër filma, lumenj që zvarriten drejt kanioneve të thella, kodra të pyllëzuara dhe plazhe mbeten të fshehura edhe ndaj syve më të stërvitur. Në sfond faqe shkëmbore madhështore. Udhëtimi në traget zgjat rreth tri orë deri në Fierzë, ku më pas vazhdohet drejt Parkut Kombëtar të Valbonës, një perlë e Alpeve shqiptare apo, për më aventurierët, drejt Kosovës. Por, kjo është një histori tjetër. Dhe një udhëtim tjetër.

Loading...