“Gurra Folk Fest”, mbledh 300 të rinj të pasionuar pas folklorit dhe polifonisë labe

Rreth 300 nxënës të shkollave të mesme të qarkut të Vlorës janë pjesëmarrës të edicionit të tretë të festivalit “Gurra Folk Fest”, që çeli siparin sot në qytetin e Sarandës.

Ky festival organizohet nga Ministria e Kulturës, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë me mbështetjen e Drejtorisë Arsimore Rajonale Vlorë dhe me Qendrën e Kulturës dhe Artit Vlorë.

Ditën e sotme në festival nxënësit e shkollave të Konispolit, Finiqit dhe Delvinës, konkurruan me këngë, valle nga krahinat e tyre, ku nuk munguan edhe këngët polifonike.

Drejtori i DRKK Vlorë, Orgest Feimi, tha për ATSH-në se “në këtë festival marrin pjesë mbi 20 shkolla të mesme, me rreth 300 nxënës që performojnë. Mes një atmosfere fantastike nxënësit shpalosën talentin e tyre në këngë dhe valle folklorike”.

Sipas tij më 25 mars do të zhvillohet dita e dytë e festivalit në Vlorë, ku do të marrin pjesë shkollat e bashkisë Himarë, Selenicë dhe Vlorë.

“Ndërsa në 29 mars është dita finale e festivalit, në tetarin “Petro Marko” me shkollat që janë kualifikuar nga dita e parë dhe e dytë”, tha Feimi.

Juria përzgjodhi për të marrë pjesë në natën finale shkollat e Delvinës, Livadhjasë dhe Konispolit.

Festivali zhvillohet mbi një platformë të qartë e të detajuar nga DRKK Vlorë dhe pritet të jetë një tjetër arritje në fushën e trashëgimisë shpirtërore pas aktivitetit, po me shkollat e mesme “Rini & Polifoni”, zhvilluar pak kohë më parë/atsh

Loading...