Nard Polia, 35-vjeçari nga Thethi që u vra sot në Grudë të Shkodrës ishte i njohur jo vetëm në zonën e tij, por edhe jashtë Shqipërisë, nga të gjithë ata turistë që kishin zgjedhur ndër vite të vizitonin bujtinën e tij “Polia” e hapur në vitin 2005.
Përmes faqes në Facebook “Thethi National Park” ai reklamonte bukuritë natyrore të kësaj zone të mrekullueshme, ndërsa ndër vite s’ka nguruar të ngrejë zërin për problemet që e shqetësonin, që nga mungesa e infrastrukturës rrugore deri tek bllokimi i rrugëve të Thethit në dimër.
Polia është bërë shpesh pjesë e kronikave televizive në vend, ku denonconte mos ndërhyrjen e shtetit për t’ju ardhur në ndihmë. Me dëshirën e madhe dhe ëndrrën që Thethi do popullohet sërish, në një intervistë për mediat e huaja, ai rrëfen jetën e tij.
Djali i fortë e me muskuj, i kalitur për të përballuar jetën në mal shfaqet mbi makinën e tij Fuoristradë me goma të larta. Me këtë makinë ku sot i morën jetën, ai është bërë shpëtimtar i shumë turistëve që ngecnin mes botës.
“Unë kam lindur në Theth, jetesa këtu ka qenë shumë e vështirë, jena rrit shumë të varfër. Erdhi një kohë pas demokracisë në Shqipëri që Thethi u la pas dore, sepse njerëzit, banorët ikën. Këtu nuk kishte absolutisht të ardhura”,- thoshte ai.
“E kujtoj si sot kur kam ikur në vitin 1999 bashkë me familjen time në Shkodër. Ishte shumë e vështirë të jetoje këtu. Të gjithë shokët e mi me familjet kanë ikur ose në Shkodër ose jashtë shtetit. Mbaj mend që në 2005 jam kthyer përsëri në Theth kishte 5 familje nga 250 që ishin në 1995”,- thoshte Polia në rrëfimin e tij.
Por ndërsa vitet kanë kaluar, Polia shprehte gëzimin që Thethi aq i dashur për të kishte filluar të kthehej në një atraksion turistik.
“Thethi sot është bërë një atraksion shumë i bukur në Shqipëri dhe shumë i preferuar për turistët në Shqipëri dhe jashtë saj. Është natyra më e virgjër, ndër parqet kombëtare më të rëndësishme është edhe zonë e mbrojtur. Kemi fatin se këtu gjithçka ka mbetur si më përpara. Do mundohemi ta ruajmë sa më autentik Thethin, me bukurinë, kulturën, traditën dhe historinë e tij”,- thoshte Polia.
Nëse pasditen e sotme s’do t’i kishin bërë atentat, Polia do ta zhvillonte edhe më tej bujtinën e tij. Emri i Thethit do dëgjohej më shumë nëpër botë, për kulturën, bukurinë dhe traditën e ruajtur ashtu siç kish ëndërruar që ditën kur ai u kthyer në vendlindje!
https://www.facebook.com/bujtinapolia/videos/1430827273687040/?t=0