Në seancën e sotme parlamentare, e cila po zhvillohet e rrethuar nga qindra protestues të opozitës së bashkuar, një fjalim të gjatë ka mbajtur edhe Murrizi, duke prekur disa çështje, që nga largimi i ish-deputetëve, te problemet e Kodit Zgjedhor, apo te TVSH-ja ndaj fermerëve, duke bërë që këta të fundit të derdhin sasi të mëdha me qumësht në shenjë proteste.
“Të hapim listat e t’i votojnë qytetarët dhe hajde të bëjmë politike, se edhe krerët e partive do bien rehat se do shuhet numri i servilëve që i rrethojnë, për ta ç’rrënjosur këtë sistem nga pashallëku i sekretarit të parë. Ta shikoni pastaj si flasin ata në emër të qytetarit, që kurrë si kanë hapur telefonin një qytetari”, u shpreh Murrizi.
Po ashtu, duke folur për pushtetarët e pasuruar me postet publike, Murrizi u shpreh duke sfiduar se do të dorëzonte menjëherë mandatin e deputetit , nëse do t’i zbulonin një shkelje tatimore.