Cili është sekreti për një jetë të gjatë e të shëndetshme? Sajti ‘A Place For Mom’ është përpjekur ta gjejë përgjigjen e kësaj pyetje të kamotshme duke i analizuar këshillat e atyre që kanë jetuar mbi 100 vjet.
Kompania ka analizuar 100 intervista me personat që kishin jetuar të paktën 100 vjet dhe ka zbuluar se ndonëse 25% prej tyre kishin ndjekur këshilla për një stil të shëndetshëm të jetesës, 29% prej tyre i kishin shmangur ato, transmeton Telegrafi.
Merrni shembull Agnes Fenton, e cila kishte besuar se duke konsumuar tri birra ‘Miller High Life’ në ditë dhe një gotë uiski në ditë e kishin ndihmuar atë të jetonte deri në moshën 112 vjeç.
Në fakt, rreth 16% e atyre që kanë jetuar mbi një shekull kanë thënë se kanë konsumuar alkool çdo ditë dhe se ky ka qenë sekreti i jetëgjatësisë së tyre.
Sidoqoftë, çfarë saktësisht kanë bërë këta persona që kanë jetuar mbi 100 vjet?
Më poshtë e keni listën me 10 shprehitë e tyre më të zakonshme:
– 29% i kanë injoruar këshillat për ushqim të shëndetshëm
– 25% prej tyre janë ushqyer shëndetshëm
– 22% prej tyre kanë qenë aktivë edhe në moshë të shtyrë
– 18% prej tyre kanë qenë gjithmonë pozitivë
– 16% kanë konsumuar alkool rregullisht
– 12% nuk kanë konsumuar as alkool as cigare
– 10% kanë pasur lidhje të ngushta
– 8% kanë bërë gjumë mjaftueshëm
– 9% kanë qenë zemërmirë
– 9% kanë qenë religjiozë
Leandra Becerra Lumbreras, e cila kishte vdekur në moshën 127 vjeçare, ia kishte atribuuar jetën e saj të gjatë e të shëndetshme konsumimit të sasive të mëdha të çokollatës dhe faktit se asnjëherë nuk ka qenë e martuar.
Megjithatë, kjo dhe shumë këshilla tjera nuk janë diçka që i rekomandon mjekësia e tanishme apo diçka e tillë.
Sipas shkencës, këto janë strategjitë që ju ndihmojnë të jetoni gjatë: mos pini duhan, bëni ushtrime rregullisht, mos shtoni shumë peshë, hani shumë perime dhe mos e teproni me alkool. /Telegrafi/