Malësi dhe Madhe. Është emri i rajonit më verior të Shqipërisë, një zonë në veri të Shkodrës, dy hapa larg Malit të Zi. Një vend i egër, i largët dhe autentik që nuk shfaqet në guidat turistike dhe të blogeve të udhëtimit, por që është destinacioni ideal për ata që janë të lodhur nga kaosi i qytetit ose të destinacioneve të zakonshme, duan të relaksohen dhe të shpenzojnë disa orë ose ditë të rrethuar vetëm nga natyra.
Kështu e nis reportazhin e saj gazetarja italiane Francesca Masotti të publikuar në blogun “Letters from Balcans”.
Këtu, mes fushave me livando dhe dafina, pyjeve të gështenjës dhe maleve madhështore, shtrihet fshati i vogël i Reçit, që, çdo vjeshtë, pret e “Dita e Agroturizmit”, pra ditën e agro-turizmit, një festival të organizuar, ndër të tjera, nga Agroturizëm Shqipëria, një projekt i mbështetur nga USAID-i, CEED dhe nga Ambasada suedeze në Tiranë (ngjarja e këtij viti u mbajt më 31 tetor).
Për një ditë të plotë, banorët e Shkodrës, fshatrat përreth dhe disa vizitorë kuriozë takohen në pyllin e mrekullueshëm të gështenjave në Reç, një monument natyror, pjesë e Parkut Kombëtar të Shkrelit, për të parë vallet tradicionale tipike të Shqipërisë së veriut dhe për të blerë ushqime që shiten nga fermerët lokalë, mes të cilave mjaltë, marmalatë dhe reçel, përveç frutave të freskëta të stinës, si hurmat, shegët dhe gështenjat.
Falë ftesës së CEED Albania, pata rastin të marr pjesë në këtë ditë të këndshme feste dhe të zbuloj një zonë të Shqipërisë deri tani e panjohur për mua. “Dita e Agroturizmit” është pjesë e një sërë ngjarjesh e projektesh të mbështetur nga organizata të ndryshme jo qeverisëse lokale që janë angazhuar të financojnë realitete ekonomike dhe agroturizmi që ndodhen në zonat më të pafavorizuara të Shqipërisë, duke i ndihmuar jo vetëm në renovimin e ndërtesave që të përdoren për turizmin, por gjithashtu ndihmon ata në proceset e marketingut dhe zhvillimin e aftësive në sektorin e bujqësisë, përmes mbështetjes financiare dhe sipërmarrëse.
Një nga këto OJQ është pikërisht CEED Albania, e cila po ndihmon gjashtë fermat e vogla, në zonat e Malësisë dhe Madhe, Shkodrës dhe Pukës, për të hyrë në sektorin e turizmit.
Pasi kam bërë disa blerje gastronomike dhe asistuar në vallet tradicionale, kam pasur kënaqësinë të ha drekë dhe të kaloj disa orë në relaksim të plotë në Agroturizmin “Rruga e Mullirit”, një nga gjashtë fermat që përfitojnë nga projekti i mbështetur nga CEED Albania, që ndodhet rreth një km larg nga pylli i gështenjave të Reçit. Gjatë verës mund të hani në oborr para fermës, të rrethuar me pemë, lule dhe bimë, ndërsa në dimër mund të strehoheni në ngrohtësi në sallën e mëngjesit.
Pronarja përgatit një ushqim të mahnitshëm të bërë me përbërës ekskluzivisht lokalë dhe sezonalë: byrek me spinaq dhe gjizë (gjizë tipike e kripur e Shqipërisë), petulla , reçel kumbulle, djathë dhie, lëng shege, torta të kripura dhe të ëmbla … këto janë vetëm disa nga specialitetet që mund të gjenden në “Rrugën e Mullirit”. Personalisht më pëlqeu shumë, përveç cilësisë së shkëlqyer të ushqimit, vendi ku ndodhet ferma: i rrethuar nga pyje është një strehë e vërtetë paqeje për të dashuruarit e natyrës.
Ngjyrat e vjeshtës, atëherë, nuk bënë gjë tjetër veçse e shtonin habinë time për bukurinë e vendit. Në këtë sezon ka një flakërim të portokalltë, të verdhë dhe të kuq. Në sfond, malet e larta, një prani e vazhdueshme kudo që të udhëtoni në Shqipëri./atsh