Për të gjithë ju që ende nuk e dini simbolikën e Ditës së Nevruzit!

Pavarësisht se keni apo jo pushim sot, Festa e Sulltan Nevruzit është një ditë e rëndësishme për popullin shqiptar.

Sot më 22 mars besimtarët bektashinj festojnë ditën më të rëndësishme, jo vetëm për ta, por për të gjithë njerëzit.

Në fakt ka një simbolikë të veçantë dhe cilësohet si dita e rilindjes dhe e rinovimit, pasi kafshët zgjohen nga gjumi dimëror, lulet çelin sythet dhe trupi i njeriut pëson ndryshime, ose rigjallërim. Gjithashtu lidhet edhe me lindjen e shpresës për një të ardhme më të mirë.

Festa në fakt zgjat tri ditë, familjet pastrojnë shtëpitë e tyre, vizitojnë të afërmit, ndajnë ushqime dhe bëjnë dhurata festive. Besimtarët çdo 22 mars luten për kohë më të mira dhe nderojnë në pelegrinazhe të shumta besimin e tyre tek Zoti.

Historia e Ditës së Nevruzit

Dita e Nevruzit apo e quajtur ndryshe edhe dita e Sulltan Nevruzit është ditëlindja e Imam Aliut në Qabe. “Nevruzi” vjen nga persishtja dhe do të thotë “Dita e re”, ndërsa “Sulltan” është titulli i lartë që tregon rëndësinë e kësaj dite. Festa e Sulltan Nevruzit ka mbërritur në viset shqiptare së bashku me besimin bektashian, në shekujt XV-XVI. Në shekullin XX dhe në mënyrë të veçantë në mesin e tij, kjo festë është shndërruar në një manifestim mbarëkombëtar.

Historia e ka zanafillën tek reformat e Mustafa Kemal Ataturkut, i cili urdhëroi klerikët që petkun fetar ta vishnin vetëm në faltore, por jo në ambiente të tjera. Kryegjyshata botërore me qendër të Haxhibektash asokohe drejtohej nga një klerik me origjinë shqiptare Sali Njazi Dede, i cili vendosi të zhvendoste selinë. Që prej vitit 1930 Kryegjyshata Botërore ndodhet në Shqipëri, ajo u mbyll në vitin 1967, kur regjimi komunist ndaloi fenë dhe u rihap serish pas rënies se diktaturës.

Në Shqipëri Dita e Nevruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996.

Loading...