Ervin Salianji publikon sot një bisedë të re – Fredi Alizoti ka marrë para nga kreu i policisë së Fierit (video)

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji i akuzuar për “kallëzim të rremë” dhe i marrë i pandehur për dosjen “Xhafaj-Babale” ka publikuar sot një bisedë të re, në lidhje me këtë ngjarje dhe thotë se Fredi Alizoti ka marrë para nga kreu i policisë së Fierit, Albert Nushi.

Bëhet fjalë për një bisedë audio i publikuar në Facebook, për të cilën Salianji thotë se është pjesë e përgjimeve të prokurorisë shqiptare. Bëhet fjalë për një një bisedë audio mes dy personave që sipas Salianjit, janë drejtori i Policisë së Fierit Albert Nushi dhe ai që e quan “dëshmitar të fabrikuar të qeverisë”, Fredi Alizoti.

Komunikimi mes tyre është zhvilluar më 08.06 2018, pasi Alizoti ka dhënë dëshminë e rreme, siç thotë Salianji. Biseda mes të tyre zhvillohet me tone të ashpra e të shara, aq sa ish-deputeti e cilëson “komunikim +18”. Në përgjimin e publikuar nga ish-deputeti Ervin Salianji, dëgjohet Alizoti që i kërkon para dhe drejtori i policisë i thotë se do të nisë dikë t’ia çojë paratë.

“Piovra. Episodi 1.Në pafundësinë e komunikimeve mes zyrtarëve të policisë dhe deshmitarit të sajuar për Xhafajgate!Komunikimi ne 00:30 të natës mes drejtorit të policisë Fier dhe Alizotit pasi ka dhënë dëshminê e sajuar! Përgjimi është zyrtar i Prokurorisë, komunikim +18”,- shkruan ai.

Fredi Alizoti është njeriu që dyshohet se në audiopërgjimin e njohur si Babalja, imitoi zerin e vëllait të ish-ministrit Fatmir Xhafaj, Agronit. Për akuzën “kallëzim i rremë” Prokuroria ka kërkuar masën ‘arrest me burg’ për të. Nga PD ka pasur akuza se Fredi Alizoti ishte blerë dhe shantazhuar nga ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, pas akuzave për përfshirje të vëllait të tij Agron Xhafaj në pazare droge. Ai madje është detyruar të japë dëshmi të tjera të rreme, sipas tyre.

(BalkanWeb)

Loading...