Mijëra zviceranë i bashkohen marshimit në nderim të vogëlushit shqiptar

Gjatë gjithë kohës, pjesë e marshimit kanë qenë edhe përfaqësuesit më të lartë të ekzekutivit të qytetit, Elisabeth Ackermann dhe Baschi Dür.

Një kortezh i gjatë i përbërë nga disa mijëra veta, shqiptarë, zviceranë dhe të huaj të tjerë, ka bërë një marshim të heshtur rrugëve të qytetit për të shprehur pikëllimin për vdekjen e vogëlushit Iljas M., i cili u vra në mënyrë mizore të enjten që shkoi nga një grua 75 vjeçare.

Marshuesit fillimisht u grumbulluan në parkun Schützenmatpark në afërsi të qendrës së qytetit të Bazeli, shkruan albinfo.ch. nga vendi i ngjarjes.

Të rritur, pleq, fëmijë, shumica me lule në duar, dhe me pankarta, të shkruara gjermanisht dhe shqip, shprehnin dhembjen për vdekjen e padrejtë të vogëlushit dhe solidarizimin me familjen.

“Unë jam Ilias”, “A e kam të sigurt rrugën për në shkollë”, “Ai ishte vetëm një fëmijë”, “A e arsyeton labiliteti psikik vrasjen”, “Mallkuar qoftë” dhe parolla të tjera mund të lexoheshin në pankartat që i mbanin kryesisht füëmijët, moshatarë të Iljasit të ndjerë.

Kolona e gjatë, e shoqëruar nga policia pastaj ka bërë një marshim deri në vendin ku ka ndodhur krimi. Një mal me lule, lodra fëmijësh, qirinj, flamuj etj. ishin vendosur në një hapësirë të vogël, rreth të cilës kanë parakaluar të gjithë marshuesit. Ata kanë vendosur sërish lule e lodra, kanë ndezur qirinj dhe janë lutur në heshtje për Iljasin e vogël.

Loading...