Tepelena dhe Gjirokastra ishin ndalesa e fundjavës e Lëvizjes Kombëtare për Lexim e cila po udhëton në çdo cep të Shqipërisë për të afruar të rinjtë me librin.
E pranishme në këtë nisëm ishte ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro e cila deklaroi në Tepelenë se Lëvizja Kombëtare për Lexim do të përfshijë në mënyrë kapilare 12 qarqet e vendit, me 12 qytete pilot për të dëshmuar se dëshira për lexim është tek secili fëmijë, nëse dimë ta ushqejmë. Ajo mori premtimin e Pushtetit Vendor për të investuar në blerje librash për Bibliotekën e qytetit përmes një zëri buxhetor vjetor.
Për të nxitur hallkat përgjegjëse dhe dëshirën e fëmijëve për të lexuar, Ministria e Kulturës dhuroi 200 libra për fëmijë të moshës 0-14 vjeç, në bibliotekën e qytetit të Tepelenës dhe në shkollën 9 vjeçare “7 Marsi”.
Përmes Konkursit kombëtar për “Përshtypjen më të mirë mbi librin që ke lexuar”, organizuar në bashkëpunim me Bukinist, si partner mbështetës i kësaj nisme, Lëvizja Kombëtare synon të arrijë përfshirjen e lexuesve të vegjël e të rinj, të cilët do të shpërblehen nga Bukinist me çeqe librash dhuratë. Kolanat e librave për fëmijë janë dhuruar të ndara mes shkollave dhe bibliotekës së qytetit, për të ndërtuar ura të sigurta, që nxënësit të anëtarësohen në biblioteka.
Kryetari i Bashkisë së Tepelenës Tërmet Peçi tha se “pas rikonstruksionit të bibliotekës, tani do të pasurojmë fondin e librave, që këta fëmijë, të cilët u gëzuan sot kaq shumë me librat e rinj, të kenë ku të shkojnë për të gjetur librat që duan.”
Bibliotekat publike dhe ato të shkollave marrin një rëndësi të madhe veçanërisht në qytetet periferike, ku edhe mundësitë financiare të prindërve për të blerë libra janë më të zbehta.
Ministria e Kulturës synon që përtej sensibilizimit për rëndësinë e leximit e të kulturimit, sidomos tek fëmijët, të ndërhyjë dhe rregullojë në nivel ligjor e institucional politikat e Librit dhe kushtet për përhapjen e Librit si vlerë.
Në këtë kornizë është hedhur në diskutim publik Ligji i ri për Librin, i cili parashikon ngritjen e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit; lehtësime fiskale për librin në formë tradicionale dhe elektronike dhe mekanizma lehtësues për bibliotekat në të gjithë vendin./atsh