Kryeprokurorja Arta Marku gjatë analizës vjetore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga prokurorët të hetojë çështjet e rëndësishme që kanë trazuar politikën, ndërsa ka bërë thirrje që gazetarët të lihen jashtë procesit hetimor.
Ajo gjithashtu ka theksuar se hetimi pasuror lë për të dëshiruar.
Marku nisi fjalën e saj, duke theksuar se Prokuroria e Krimeve të Rënda bart mbi supe presionin e politikës dhe mbi të gjitha publikut, për shkak të rëndësisë që ajo ka. “Kjo është prokuroria më e rëndësishme në vend, asnjë veprim i kësaj nuk mund ti shpëtojë opinionit apo politikës. Kjo rrit presionin dhe vështirëson punën tuaj”.
“Gjatë këtij viti keni trajtuar me sukses shumë çështje. Ju përgëzoj për këtë! Ka qenë një vit shumë i ngarkuar, por pavarësisht kësaj, shumë prokurorë kanë treguar se dinë të punojnë dhe dinë të përballojnë ngarkesën. Gjatë këtij viti, disa prokurorë të tjerë, na kanë bërë që të na vijë turp që jemi prokurorë. E kanë keqpërdorur funksionin e tyre, duke nxjerr informacion, pa dashur t’ia dinë për ruajtjen e sekretit hetimor. Këta prokurorë duke u kujdesur të nxirrnin sekretin hetimor kanë harruar të merreshin me hetimin proaktiv dhe detyrën e tyre parësore, hetimin e plotë dhe të paanshëm të çështjes. Ata kanë harruar të bëjnë detyrën dhe të kryejnë hetime aty ku duhet të kryheshin. Disa nga temat që janë trajtuar kanë trazuar politikën në vend, madje kushdo i njeh edhe me numra dhe kjo nuk mund të jetë situatë normale”, tha Marku.
Kryeprokurorja vijoi duke theksuar se prokurorët duhet të fokusohen vetëm tek hetimi e të mbajnë sa më larg gazetarët nga procesi hetimor. “Secili e di që janë mbajtur në sirtar çështje të caktuara për t’u përdorur për interesa të caktuara, por detyra juaj është hetimi dhe zbardhja, këtë duhet ta bëni me çdo kusht. Ky është një organ hetimi dhe jo supermarket që çdo gjë ka çmim. Prokuroria për Krimet e Rënda ka qenë më cilësore, ka ardhur në rënie për shkak të ndërthurjes së punës me interesa personale”, tha Marku.
“Ju kërkoj të fokusoheni te puna, hetoni çështjet që kanë trazuar jetën politike, hetimi të jetë objektiv, mbani larg mediet, gazetarët nuk duhet të jenë pjesë e grupit hetimor, sikur po i trajtoni ju. Hetimi pasuror le për të dëshiruar. Ushtroni kompetencat e plota deri në ngritjen e Prokurorisë Speciale SPAK, krimi dhe korrupsioni duhet të luftohen çdo ditë”, tha Kryeprokurorja Marku, duke mbyllur fjalën e saj.