Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Christian Panucci u shpreh sot në konferncën për shtyp përpara ndeshjes me Skocinë se ndeshja e radhës është shumë e rëndësishme.
“E merituam humbjen në ndeshjen e parë ndaj Skocisë. Nuk luajtëm mirë, vuajtëm agresivitetin. Në shtëpi tonë do jetë ndryshe. Me Izraelin nuk morëm rezultatin që meritonim. Kemi pësuar 3 gola nga goditje standarde, për shkak të gabimeve tona. Më duket sikur po merrem me një skuadër të shurdhët. Duhet t’iu përsëris shumë herë të njëjtën gjë. Është shumë e rëndësishme për ne ndeshja e radhës, për shkak të formulës së grupeve. Është shumë e rëndësishme që të shënojmë gol. Të vazhdojmë nivelin e lojës së nisëm me Izraelin. Kemi luajtur më mirë edhe se me fitoren ndaj Turqisë. Duhet të jemi më të egër dhe të shfrytëzojmë rastet”, tha Panucci.
Trajneri gjithashtu theksoi se Loret Sadiku mbetet në planet e tij për të ardhmen, pavarësisht se nuk pranoi të ishte pjesë e skuadrës për dy ndeshjet e radhës.
Trajneri italian tregoi se kishte patur një bisedë me mbrojtësin e Kasimpasas në Turqi, duke sqaruar edhe arsyen e refuzimit.
“Sadikun e ftova pastaj me dërgoi një mesazh dhe folëm me njëri-tjetrin. Ai ishte i lumtur për grumbullimin, por më tha që kishte pasur probleme, nuk ishte 100%. Më kërkoi që të mos e grumbulloja. Edhe unë i thashë që të mos vijë nëse nuk është i gatshëm 100%. Ai është në plane për të ardhmen. Më pas ftova Kaçen, pasi edhe Ylber Ramadani kishte dëmtim”, tha Panucci
Sa i përket golave të Kaçes dhe Grezdës, trajneri italian tha se, “më vjen mirë që shënuan Grezda e Kaçe, pasi kanë gjetur motivim. Grezda është më mirë se një muaj më pare, ndërsa Kaçe shënoi në një ndeshje te rëndësishme”.
Për mosgrumbullimin e Mërgim Mavrajt, Panucci u shpreh se, “problemi është i Federatës Greke të Futbollit, që vendos të luhen ndeshjet e kampionatit ditën e hënë, ndërkohë që sipas rregullores së FIFA-s në orën 12:00 nis grumbullimi i kombëtareve”./atsh