Thaçi:”Lufta ndaj korrupsionit prioritet mbi prioritetet”

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, I pranishëm në Konferencën mbi Parandalimin dhe Luftimin e Korrupsionit të Nivelit të Lartë, organizuar sot nga misioni i OSBE-së në Kosovë, deklaroi se “korrupsioni është një kërcënim serioz, jo vetëm për vendin tonë, por edhe për vendet më të zhvilluara dhe përbën një sfidë për demokracinë”.

“Fenomeni i korrupsionit është një sfidë në shkallë globale. Përveç pasojave që shkakton në zhvillimet politike dhe socio-ekonomike, dukuria e korrupsionit shkakton pasoja edhe në rrafshin e sigurisë”, tha presidenti.

Ai u shpreh se si shtet i ri duhet të jemi të pakompromis në parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie.

“Sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë, e prirë për të luftuar dukuritë negative, në këtë rrafsh edhe korrupsionin e të gjitha niveleve, e ushqejnë rritjen ekonomike dhe rregullojnë mirëqenien e qytetarëve”, theksoi presidenti Thaçi.

Republika e Kosovës, sipas kreut të shtetit, ka marrë një sërë veprimesh me qëllim të konsolidimit të sundimit të ligjit dhe në funksion të respektimit të rendit kushtetues, si dhe ka miratuar legjislacion përkatës për këtë fushë, duke krijuar mekanizma institucional dhe ndërinstitucional për këtë qëllim./atsh

Loading...