Policia Federale dhe Dogana e Gjermanisë në një aksion të përbashkët të përmasave të mëdha ka arrestuar të mërkurën në ishullin Rügen një rrjet kontrabanduesish me qenie njerëzore.
Ata dyshohen të kenë sjellë numër të madh shqiptarësh për të qëndruar dhe punuar ilegalisht në Gjermani, shkruan “süddeutsche.de”.
Tre të dyshuarit kryesorë, shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe të Gjermanisë akuzohen se përveç që i kanë kontrabanduar shqiptarët nuk iu kanë dhënë as hakun e tyre, për punën që kryenin.
Gjatë aksionit janë bastisur gjithsej shtatë objekte, në mes të të cilave edhe një kantier ndërtimi në ish plazhin nazist të quajtur Prora, ku është arrestuar njëri ndër tre të dyshuarit kryesorë, transmeton albinfo.ch. Këtu është konfsikuar edhe një sasi e konsiderueshme materiali që shërben si dëshmi për kryerje të veprave penale të kontrabandimit dhe të mundësimit të punës ilegale.
Më tutje policia në komunikatën e saj thotë se në kantier janë zënë duke punuar pa leje qëndrimi dhe pune 11 shtetas shqiptarë. Kundër tre të dyshuarve kryesorë, shtetas të Maqedonisë dhe të Gjermanisë janë zhvilluar hetime edhe gjatë vitit 2018. Ata akuzohen se, përveç që i kanë kontrabanduar shqiptarët, ata po ashtu edhe i kanë privuar nga pagat e tyre dhe i kanë keqpërdorur ato (pagat).
Personat në fjalë dyshohen se shtetasve shqiptarë të ardhur ilegalisht në Gjermani ua kanë organizuar qëndrimin dhe punën ilegale, duke i punësuar me qëllime shfrytëzimi.
Gjatë bastisjeve të bëra me urdhëresë të Prokurorisë Publike Stralsund janë konfiskuar veç tjerash, dokumente biznesi, vërtetime të ndryshme, telefonë mobilë, kompjuterë etj si dhe dokumente identifikimi. Përveç kantierit në Prora , janë kontrolluar po ashtu edhe gjashtë objekte banimi dhe biznesi në Binz, Lauterbach, Lüssoë dhe Hamburg. Merret vesh se edhe një helikopter ka qenë i angazhuar në këtë aksion policor përmasash të mëdha.