Investime në të gjithë bashkinë ka premtuar kryebashkiakia e Gramshit, Luljeta Dollani gjatë takimeve të hapura me banorët e fshatrave Kukur, Grazhdan, Gribë, Snosëm, Grabovë Sipër, Lenie, Gjerë, Porocan dhe Kabash.
Në këto takime informuese, Dollani paraqiti një panoramë konkrete të punës së bërë prej saj dhe administratës së bashkisë për periudhën korrik 2015 – tetor 2018, objektivat në parashikimin e buxhetit për vitin 2019 dhe u kërkoi të pranishmëve vërejtje, sugjerime dhe propozime të tjera për të përmirësuar akoma më shumë punën në vazhdimësi.
Ashtu si në takimet e organizuara në njësitë e tjera administrative, pjesëmarrësit vlerësuan punën e bërë nga kryetarja dhe administrata e bashkisë për administrimin korrekt të financave të saj, për bashkëpunimin me banorët e fshatrave dhe për shpërndarjen e drejtë të buxhetit për investimet, në gjithë territorin e Gramshit.
Kryetarja Dollani iu përgjigj pyetjeve dhe interesimit të të pranishmëve dhe premtoi se kërkesat e ngritura do të jenë pjesë në hartimin e buxhetit për vitin 2019. /atsh