Njeriu në jetë,rrugë të mesme s’ka,o do jetë i ndershëm,ose maskara! – Arben Duka

Çdo germë që lexoni,
juve sot këtu,
e shkruaj për vete,
dhe pastaj për ju!

E shkruaj për veten,
me askënd nuk matem,
me shijet jashtë vetes,
asnjëherë s’përshtatem!

As që mendoj fare,
si do më gjykoni,
se ç’do të thotë iksi,
apo ypsiloni!

Po një të vërtetë,
vitet ma mësuan,
se këtu nuk mundet,
të gjithë të më duan!

Vetëm né Parajsë,
kjo gjë mund të ndodhte,
se dihet që jeta,
atje s’do na lodhte!

Të gjithë nuk më duan,
këtu sigurisht,
sepse unë shëmtimin,
e tregoj me gisht!

S’shkruaj si Ezopi,
apo Anderseni,
dhe kur nuk vë emër,
thonë: ”Ky është Arbeni!”

Për të gjithë këtu,
s’mund të jem pëllumb,
unë besoj sentencën,
se derri do plumb!

Se një përrallë a fabul,
këtu po u shkrua,
kushdo mund të thotë:
“Kjo nuk është për mua!”

Duhet që poeti,
të jeté burrë me zemër,
t’i vërë të keqes,
emër dhe mbiemër!

Të tregojë së keqes,
si t’ia mbyllim derën,
dhe vetëm këtu,
ai e ka vlerën!

S’mund të jetë poeti,
tok me poezinë,
dhe me diktatorët,
dhe me vegjëlinë!

Ata që mbajnë botën,
në shpinë si hamejtë,
s’janë dhe me kusarët,
dhe me fukarenjtë!

Ata nuk kanë qenë,
sot e gjithë jetën,
edhe me gënjeshtrën,
dhe me të vërtetën!

S’mund të jetë poeti,
as që mund të flitet,
me atë që vret,
dhe atë që vritet!

Njeriu në jetë,
rrugë të mesme s’ka,
o do jetë i ndershëm,
ose maskara!

A.DUKA

Loading...