Zagoria – Destinacion turistik i përhershëm

Çdo fundjavë drejt këtij Parku Natyrorë udhëtojnë me dhjetra vizitorë dhe pasionantë të natyrës.

Janë 9 fshatra të vendosura në të dy anët e luginës deri në lartësinë 800 m, që përfaqësojnë krahinën, me qendër administrative fshatin Nivan. Fshatrat e Zagorisë Sheper, Nivan, Nderan, Topovë, Hoshtevë, Lliar, Zhej, Doshnicë, Vithuq, janë kthyer në destinacione të vizitueshme nga dashamirët e natyrës dhe të peizazhit.

Fluksi i vizitorëve në Parkun Natyror “Zagori” vazhdon të jetë i lartë dhe në këto ditë vjeshte.

Zagoria është një thesar vlerash natyrore, kulturore e kulinarike dhe kohët e fundit është kthyer në një destinacion të preferuar turistik për Qarkun e Gjirokastrës.

Gjatë fundjavës, shumë të rinj nga Gjirokastra dhe vende të tjera ngjiten drejt malit të Çajupit, pjesë e Parkut Natyror “Zagori” dhe bashkë me ta, ka dhe të huaj të ardhur nga vende të Europës.

Ky park natyror shtrihet mes vargmaleve Shëndëlli, Lunxhëri, Bureto, Trebeshinë, Dhëmbël e Nemërçkë, më të mëdhenjtë dhe më të lartët në jugun e vendit. Zagoria ngjan brenda kësaj kurore malesh si një “perlë e rrallë natyrore”.

Një hijeshi marramendëse që nga malet e lartë, shkëmbinjtë e ashpër e të thepisur, oaze të gjelbra me pemë, lule e bar, vlerat e bio-diversitetit, vlerat kulturore dhe shpirtërore që ka kjo zonë shtojnë pasionin, mjaftueshëm për të tërhequr në gjirin e saj shumë vizitorë e turistë të huaj./atsh

Loading...