E njohur kryesisht për plazhet fantastike, Riviera e Shqipërisë ruan veç të tjerash dhe një kishë të shkëputur nga gjithçka tjetër, e cila është e zhytur në një peizazh që ja vlen të eksplorohet.
Të shpërndara në të gjithë vendin, nëpër male të larta apo anës detit, gjenden monumente të pabesueshme hitorike, kisha apo vendbanime arkeologjike të antikitetit.
Disa prej tyre janë më të lehtë për t’u vizituar se të tjerët, por zakonisht sa më i vështirë të jetë rrugëtimi, aq më ndjellës bëhet dhe monumenti.
Kisha e Marmiroit është padyshim një nga shtigjet më pak të rrahura nga turistët, dhe është pikërisht kjo arsyeja se përse kjo kishë e shekullit të 12-të është kaq unike.
Mbi kishën
Kjo kishë e vogël është e shënuar si një monument kulture dhe tashmë mbrohet e kujdeset si një vend i trashëgimisë kulturore. Për herë të parë na shfaqet në shënimet historike që datojnë në vitin 1307.
Si kishë, ka disa ngjashmëri arkitekturore me disa kisha në Bullgari apo në rajon, dhe sipas disa studiuesve ndërtimi i saj mund të ketë ndodhur në shekullin e 12-të apo ka dhe teori që e shpien ndërtimin e saj në shekullin e 10-të.
Nëse vendosni të hyni brenda kishës, ende mund të dalloni disa nga pikturat fetare që veshin muret e kishës.
Kisha dominohet nga nuanca të ngjyrave hapura dhe ka teori sipas të cilave ajo e mori emrin nga gurorja e mermerit që dikur thuhet se gumëzhinte në këtë zonë. Arkeologë shqiptarë dhe të huaj tregojnë së disa nga materialet ndërtuese të kishës janë marrë nga qyteti antik i Orikut.
Rruga më pak e shkelur
Për të mbërritur tek kjo kishë e vogël duhet pak mund dhe sens aventure. Pasi të keni lenë qendrën e Orikumit e të jeni rrethuar në sfond nga malet e gadishullit të Karaburunit, të gjitha aftësitë tuaja për ecje do të shpërblehen.
E gjitha ngjan me një eksperiencë surreale, ku elementetet e detit, maleve apo qetësisë përreth gërshetohen mrekullisht. Fushat që rrethojnë kishën përdoren shpesh si kullota nga barinjtë të cilët mbajnë aty pranë kopetë e deleve dhe lopëve.
Sipas të gijtha gjasave ju do të përshëndeteni nga fytyrat miqësore të tyre, tek sa këmbanat që kanë rreth qafës tringëllojnë përgjatë rrugëtimit kolektiv për në kullotë; ose mund të përshëndeteni dhe me ndonjë nga barinjtë apo banorët e zonave përreth, të cilët janë përherë miqësorë me turistët.
Kisha e Marmiroit, foto nga Sarah Goolishian.