Zbardhet ngjarja e një dite më parë në Vlorë ku në një banesë shpërtheu një sasi lënde e dyshuar tritol.
Autor i ngjarjes është identifikuar shtetasi E.O i cili është shpallur në kërkim.
Sipas policisë, E.O i ka vendosur lëndë eksplozive banesës së babait të tij, F.O, duke i shkaktuar dëme materiale.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për motive pronësie dhe konflikteve të vazhdueshme midis tyre.
Njoftimi i policisë:
Policia zbardh ngjarjen e ndodhur një ditë më parë, ku në oborrin e një banese shpërtheu një sasi lënde eksplozive. Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar.
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur rreth orës 00:40 të datës 30 mars 2019, ku në oborrin e banesës së shtetasit F. O., ka shpërthyer një sasi eksplozivi duke shkaktuar vetëm dëmtime të vogla materiale, pas hetimeve intensive të Policisë së Vlorës është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes, motivit të saj, si dhe identifikimi e shpallja në kërkim e autorit të dyshuar.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera ka rezultuar se autor i dyshuar i ngjarjes të jetë i biri i shtetasit F. O., (shtetasi E. O.,). Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për motive pronësie dhe konflikteve të vazhdueshme midis tyre.
Vijon puna për kapjen e shtetasit E. O., të shpallur në kërkim. Materialet në lidhje me këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprime të mëtejshme.