Djalë apo vajzë? Shqiptarët vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të jenë në kërkim të djalit. Djali do të thotë fitore, vajza humbje.
“E kam djalë, është shtylla e shtëpisë”, thotë një nënë në maternitet, e cila sapo ka lindur.
Rastet e nënave, që detyrohen të abortojnë vetëm e vetëm se është vajzë, janë të shumta, megjithëse kjo gjë ndalohet me ligj.
“Aborti u bë kur vajza ishte katërmuajshe. Ishte ultimatum. Nuk kisha mundësi të kthehesha në shtëpi pa e kryer atë punë”, rrëfen një grua.
Një studim i fundit në vend tregon të dhëna të frikshme për abortin selektiv.
“Që nga viti 1990 e deri më sot, në Shqipëri janë 33 mijë vajza të munguara”, thotë Eglantina Bardhi, nga “Together For Life”.
“Ne mbajmë vendin e parë në Europë”, pranon fatkeqësisht mjekja Rubena Moisiu, ish-drejtoreshë materniteti.