Burgim të përjetshëm për “Tony Montanën” shqiptar

Gjykata Penale në Britani të Madhe ka dënuar me burgim të përjetshëm shqiptarin Mane Driza, i cili përdorte emrin Sokol Drenova pas vrasjes makabre me thikë të bashkëkombasit të tij, Stefan Bledar Mone vetëm 23 vjeç. Kjo ngjarje ka ndodhur 20 vite më parë, konkretisht në qershor të vitit 1999 në veri të Londrës tek banesa ku jetonin.

Ai përdorte si pseudonim atë të “Tony Montanës”, ndërsa do të rikthehet në Itali për të vuajtur dënimin me 30 vite burg për vrasjet e bëra në Siçili dhe për t’u rikthyer më pas në Britani për këtë dënim të përjetshëm.

Gjykata ka urdhëruar gjithashtu që ai të vuajë minimalisht 20 vite në burgjet angleze për vrasjen e tij të pestë.

“Tony Montana” shqiptar, Mane Driza, preku tokën angleze në qershor të vitit 1997,në moshën 17-vjeçare, pasi kishte ekzekutuar babë e bir, Elmaz dhe Lavdosh Kananin në fshatin Bishan ku jetonte në Shqipëri. Ai është dënuar në mungesë me 25 vite në Shqipëri për këtë krim.

Prokurori i çështjes, Tim Cray tha para gjykatës se skema e vrasjes së shokut të tij ishte e tmerrshme.

“Skena brenda asaj shtëpie në Wembley ishte e tmerrshme. Stefani ishte therur dhe rrahur deri në vdekje. Maja e thikës ishte nguluar në pjesën e prapme të kafkës së tij”. Ai kishte akuzuar Stefanin për vjedhjen e unazës së martesë. Pas kësaj ngjarje ai u largua drejt Italisë.

Në më pak se gjashtë muaj, Mane Driza ishte në një burg tjetër italian për vrasjen e dy shqiptarëve të tjerë, të identifikuar si Artan Maskaj dhe Albert Blusaj, ngjarja kjo e ndodhur në një bar në Catania të Sicilisë.

(BalkanWeb)

Loading...