Lulzim Basha ka dhënë një intervistë për DW, ndërsa ndodhet për vizitë në Berlin.
Ai tha se ka takuar anëtarë të Parlamentit dhe Qeverisë gjermane dhe u ka bërë të ditur se kriza politike në Shqipëri është reale.
Ai tha se ka mbështetje në Berlin për kauzën e opozitës.
Ai u pyet se kur mund të kthehet opozita në Parlament dhe u përgjigj: “Largimi nga Parlamenti ndodhi pas shterimit të çdo mundësie për të zgjidhur në mënyrë institucionale këtë krizë të thellë legjitimiteti. Ju kujtoj që partnerët gjermanë në Bundestag dhe qeverinë gjermane i njohin këto probleme.
Gjërat jo vetëm nuk kanë ndryshuar por janë përkeqësuar. Dalja e opozitës nga Parlamenti është një dalje pa kthim, kriza politike është reale por është një mundësi e madhe jo thjesht për të larguar një qeverisje të lidhur me krimin por për t’u dhënë shqiptarëve një sistem demokratik funksional që u shërben atyre dhe jo partive.
Në institucionet gjermane kemi gjetur mbështetje për këtë gjendje transformuese”.
Ndërsa i pyetur nëse vazhdon ende të mbështesë hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në, tha: “Në Evropë nuk shkohet me hilera, nuk shkohet me gënjeshtra, nuk shkohet me një shtet të kapur nga krimi.
Shkohet me vlera, me të vërteta, me një shtet të çliruar nga keqqeverisja dhe me një Parlament të zgjedhur nga populli shqiptar. Kur bie vota e lirë ka rënë demokracia”.