Përmes mbështjes së Zyrave të Punës, vetëm këtë javë janë punësuar 598 persona në rang vendi.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj duke publikuar numrin e të punësuarve për këtë javë, solli në vëmendje edhe një nga rastet e suksesit të punësimit përmes bashkëpunimit me zyrat e punës, e cila tashmë është po ndjek karrierën në një nga kompanitë më të mëdha në shtetin e Katarit.
Bashkëpunimi i suksesshëm i Siborës me Zyrat e Punës daton që prej vitit 2015, kur ajo ishte veç një studente e vitit të parë bachelor, dhe dëshironte të punësohej me kohë të pjesshme gjatë pushimeve verore. Në janar të këtij viti, Sibora tanimë një studente ekselente, në vitin e fundit të studimeve master, iu drejtua përsëri Zyrës së Punës në kërkim të punësimit me kohë të plotë.
“Falë asistencës të Zyrave të Punës dhe ndërveprimit të tyre me biznesin, ajo sot është e punësuar si Asistente Zyre pranë kompanisë Mohamed Abdelraim nga Katari, e cila kryen shërbime konsulence për bizneset në fushën portuale dhe të transportit detar. Këtë javë vetëm përmes Zyrave të Punës janë punësuar në të gjithë vendin 589 punëkërkues. Mos hezitoni të kontaktoni pranë Zyrës tuaj rajonale të punës!”, shprehet Denaj.
Bashkëpunimi me zyrat e punës ka sjellë punësimin e mijëra personave në të gjithë vendin, ku shumë prej tyre ishin të përfshirë në skemën e ndihmës ekonomike.
/e.caushi/