“Perëndimet dhe mëngjeset” – Poezi nga Anila Toto

Perëndimet dhe mëngjeset

Perëndimet vijnë të plota,
horizontet të hapura shkëlqejnë
nê zhgënjime të njëpasnjëshme.

Ti qesh. Buzëqeshja jote
si fëmijë më ka skllavëruar
e nuk kuptoja dhimbjen që linte pas.

Atëherë fshihesha mes lodrave
e s’doja të rritesha,
për një kohë pa afat.

Mëngjeset vijnë të buta
në vesa shkëlqyese lag këmbët.
Fshihem mes lulesh,
ende s’dua të rritem e të iki larg.

Ti buzëqesh.
Tkurem e venitem
kur kujtoj
dhimbjet që lë pas.

Fundjavat vijnë të paqta,
Horizontet e lulet mbushin edhe shpirtin tim.
Kështu,
edhe nëse digjem në ferre të zjarrta…
Të rriturit nuk kanë shpëtim!

Anila Toto

Loading...