Rritja më e madhe e pagave në historinë e FA-së, 19% vetëm për ushtarët

Buxheti 2019 parashikon rritjen më të madhe të pagave që është bërë ndonjëherë për Forcat e Armatosura, në masën 19 % për ushtarët dhe duke u shkallëzuar më tej sipas të gjitha niveleve.

Gjatë prezantimit të buxhetit të Mbrojtjes për vitin 2019 nga baza ajrore e Kuçovës, Kryeministri Edi Rama dha lajmin e mirë për të gjithë ushtarakët.

“Më në fund pas shumë e shumë vitesh lënie disi në hije për nga vlerësimi financiar, ne jo vetëm do t’i bëjmë një rritje të re pagave të të gjithë atyre që janë të angazhuar në FA, por do të bëjmë një rritje të konsiderueshme, shumë më të lartë nga shifra që është përmendur deri tani”, – tha Rama.

Rama tha se “gjatë rishikimit të draftit të buxhetit dhe falë këmbënguljes shumë të madhe të Ministres së Mbrojtjes, ne do t’i kushtojmë FA-së një buxhet shumë më të konsiderueshëm sesa ishte parashikuar për rritje page”.

“Kemi rritje page me 19% për ushtarët duke e shkallëzuar atë më tutje sipas të gjitha niveleve. Kjo është rritja më e madhe e pagave e bërë në historinë e FA-së, një rritje e stërmerituar. Edhe pse FA-të nuk janë përditë para syve të opinionit publik, kudo dhe me këdo që komunikojmë në kuadrin e Aleancës, ata e kanë bërë Shqipërinë krenare dhe të respektueshme. Janë të shkëlqyera opinionet e partnerëve tanë për misionet dhe njerëzit që kanë përfaqësuar Shqipërinë në misione”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se ishte surprizë për të gjithë dhe kemi marrë shumë urime të befasuara për paraqitjen e skuadrave tona në sfidën e Patrulla në Britaninë e Madhe, ku morëm edhe medaljen e bronzit.

“Ne u ndjemë krenarë, duke parë në sy të gjitha ato fuqi të mëdha që kishin shumë më tepër patrulla dhe u lanë pas nga djemtë e patrullës shqiptare. Ju meritoni edhe më shumë sesa ne do të mund të bëjmë me buxhetin e ri të 2019, por ju do të shikoni tek rritja shumë e rëndësishme e pagave tuaja, një shprehje konkrete të vëmendjes, respektit dhe mirënjohjes sonë për ju dhe familjet tuaja”, – tha Rama.ATSH

Loading...