Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj tha sot se lufta ndaj informalitetit do të vazhdojë, e si rezultat i kësaj beteje në buxhet do të arkëtohen 12 milionë dollarë.
Gjatë diskutimit mbi të ardhurat në projektbuxhetin e vitit 2019, Ahmetaj propozoi për uljen e pragut të patatueshëm.
“Tatimin për të ardhurat personale do ta diskutojmë kur të vijmë nen për nen, besoj unë që janë 55% e të punësuarve që janë jashtë sistemit fiskal, pra nuk kontribuojnë fiskalisht përmes tatimit mbi të ardhurat personale, besoj që mund të maturojmë një propozim që ta ulim pragun nga 300 (30.000 lekë) ta çojmë 100 (10.000), apo t’i fusim në sistem në taksë 1,5% të gjithë. Unë e kam bërë një propozim, besoj që do të diskutohet në të ardhmen që t’i fusim të gjithë kontribues me 1,5% të ardhurash personale dhe bëjmë gjithë gamën e të punësuarve brenda sistemit kontributiv fiskal”, – u shpreh Ahmetaj.
Deri në 6-mujorin e parë të këtij viti, në Shqipëri ishin rreth 1 milion e 300 mijë të punësuar. Sipas formulës së taksës progresive që është në fuqi, pagat deri 30 mijë lekë dhe gjithë pagat e tjera deri në këtë shumë nuk tatohen. Nëse zbatohet kjo formulë, atëherë ulja e pragut do të përfshinte të gjithë punëmarrësit në vend.ATSH