Mjeshtrat e Vlorës, mes 100 artizanëve të Ballkanit në panairin e Ulqinit(foto)

Mes më shumë se 100 artizanëve pjesëmarrës nga vende të ndryshme të Ballkanit, grupi i artizanëve nga qyteti bregdetar i Vlorës, me shumëllojshmërinë e punimeve, por edhe përmes artit të punimeve, krijuan një performancë të padiskutueshme vlerash dhe paraqitjeje në panairin ndërkombëtar të Artizanëve në Ulqin, Mali i Zi.

Në Panairin Ndërkombëtar të Artizanëve, organizuar nga Komuna e Ulqinit dhe shoqata “Globus Art”, mjeshtrat e ardhur nga Vlora befasuan me paraqitjen gati spektakolare jo vetëm nga shumëllojshmëria e produkteve, por mbi të gjitha nga arti i të punuarit.

Një grup zejtarësh, mjeshtra të vërtetë të gdhendjes në dru, por edhe të punimit me guaska e guralecë, të basorelieveve e imitacioneve të ndryshme artistike, të anijeve antike detare e të sa e sa motiveve baritore, gati e “pushtuan” artistikisht shëtitoren përfund qytetit e ndanë plazhit në krah të kalasë ilire, aty në Ranën e Hedhun.

Krejt të veçanta e të gjitha fryt i trashëgimisë që vijnë nga kohët e shkuara, nga jeta baritore, blegtorale e bujqësore nga traditat e të parëve, ishin punimet në dru të Axhi Dapajt e Dushan Mezinajt.

Plot art e krijimtari gjithë finesë punimet e Kujtim Lapës, krejt të veçanta aplikacionet në basoreliev të Avenir Troqes, ndërkohë që Vladimir Kamberi kthen në art përmes figurinash guaskat e guralecët e detit. Art e bukuri më vete, pa dyshim, anijet e vjetra të kuruara deri në detaje të Axhem Binajt.

Sejmen Gjokoli, specialist i trashëgimisë në Drejtorinë e Kulturës Kombëtare Vlorë thekson se “DRKK Vlorë, me kujdesin e treguar për pjesëmarrje në këtë panair, tregoi edhe një herë se këta zejtarë e krijues popullorë në fushën e trashëgimisë materiale të luajtshme, kanë jo vetëm nevojë të evidentohen por edhe të promovohen për tu krijuar mundësi përballje e integrimi në tregun e madh të vlerave kulturore”.

“Të tillë krijues artizanë, me kaq shumë fuqi krijuese dhe me kaq mesazhe të forta trashëgimie kulturore, veç të tjerash, përbëjnë një aset të rëndësishëm promovues e turistik për kohën që jetojmë”, shprehet Gjokoli.

Sipas tij, Vlora tani i ka mjediset dhe infrastrukturën e duhur për t’u krijuar mundësi këtyre artizanëve artistëve të ekspozojnë e tregtojnë krijimet e tyre.

Këto krijime, shtoi ai, ia shtojnë vlerat kulturore Vlorës, këtij qyteti emblemë të turizmit bregdetar e kulturor.

Me siguri Ulqini nuk ka mundur të shohë aq shumë punime artizanale në dru, guaska e guralecë, sa kësaj here në pavijonin e Vlorës./atsh

Loading...