Pas ankesave të ngritura gjatë takimit të llogaridhënies në Gjegjan, kreu i bashkisë Pukë, Gjon Gjonaj mbërriti sot në Munellë ku takoi banorët e zonës dhe ish-punonjësit lidhur me problemet e ngritura.
I pranishëm ishte dhe përfaqësuesi i kompanisë nënkontraktore, Josuf Gogdemir.
Banorët e zonës ngritën shqetësimet për pagat e papaguara si dhe mungesën e pagesave për vjetërsinë në punë. Gogdemir bëri të ditur se detyrimet ishin nga kompania “BerAlb”, dhe se kjo kompani po punonte për zgjidhjen e këtij problemi brenda një kohe të shkurtër. Lidhur me problemet për ndotjen e ajrit dhe ujit, u premtua që bashkarisht me banorët përmes zgjidhjeve që sugjeruan vetë, do të bëhet evitimi i ndotjes që shkaktohet nga aktiviteti i minierës.
Kryebashkiaku Gjonaj tha se ai do të ishte në krahun e banorëve të zonës dhe mbrojtjes i interesave të tyre sa herë banorët e zonës kanë ankesa, ndërsa ftoi përfaqësuesit e kompanisë të ishin korrekt me respektimin e të drejtave të banorëve./atsh/