Shëtitorja e re nga Tuneli deri në Orikum, potencial turistik dhe ekonomik për Vlorën

Shëtitorja e re nga tuneli në “Ujin e ftohtë”, deri në Orikum do ti japë kësaj zone potencial të madh turistik dhe ekonomik.

Kështu deklaroi sot kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, gjatë një takimi me përfaqësues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, projektues të projektit, ku diskutuan për këtë investim që ka si qëllim ti kushtojë rëndësi aksesueshmërisë së qytetarëve në plazhet publike në të gjithë vijën bregdetare.

“Ndryshimi i vijës bregdetare që ka filluar me Lungomaren do të ketë një hov të ri cilësor me këtë investim të rëndësishëm në lotin e parë që po diskutojmë sot me të gjithë përfaqësuesit e zyrës së bashkisë Vlorë dhe pjesën e interesuar që ka financuar projektin dhe do të bëjë implementimin në territor të këtij projekti”, – theksoi Leli.

Duke folur për këtë projekt, Leli theksoi “do të ketë një rehabilitim të aksit rrugor të pjesës së asfaltit në 3 km e para të kësaj rruge. Në këtë lot të parë të këtij investimi do të ketë një korsi të dedikuar biçikletash përgjatë gjithë vijës bregdetare, ku në zonat që ka mundësi do të zgjerohet rruga, kurse në pjesët e tjera që është në pamundësi të terrenit do të ketë ura kalimi për korsitë e biçikletave”.

Ajo që vlen të përmendet, vijoi Leli, është aksesi i mundshëm me rrugë të garantuar nga investimi publik për qytetarët që duan të shfrytëzojnë plazhet në përdorim nga privatët apo publikët që të jenë të koordinuara përgjatë kësaj vije bregdetare.

“Vija bregdetare duke filluar pas tunelit deri në Orikum është e frekuentuar, jo vetëm nga banorët e Vlorës, por edhe e të gjithë turistëve që frekuentojnë këtë qytet”, – tha Leli.

Leli shprehu bindjen se investime të tilla do të rrisin kapacitetet dhe mbi të gjitha do ti ndryshojnë faqen turistike vijës bregdetare që ka qyteti i Vlorës.

“Ngelem besimplotë që bashkëpunimi i frytshëm që kemi pasur deri më sot me FSHZH, përgjegjshmëria që ata kanë në përzgjedhjen e studiove më të mira në realizimin e projekteve që janë garancia e mëtejshme që ne te kemi produkt pozitiv në favor të ndryshimit të qasjes turistike së bashkisë së Vlorës për të pasur atë që është një nga prioritetet e qeverisë zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në të gjithë bashkinë e Vlorës”, -nënvizoi Leli.

Ky projekt, shtoi Leli, është vijim i Lungomares që ka pasur një qasje pozitive të atyre që vizitojnë Vlorën.

“Me këtë projekt të ri do të rrisim me tepër vëmendjen në territorin tonë për të pasur më shumë turizëm dhe vlera të reja që mund ti ofrojmë vizitorëve që kalojnë në këtë qytet”, tha Leli duke shtuar se ky projekt do të kthehet në një sukses për brezat që do të vijnë.

Kryetari i bashkisë u shpreh se “fluksin më të madh të punimeve do ta kemi duke filluar nga shtatori që mos të pengojmë sezonin turistik që këtë vit presim të ketë një fluks edhe më të madh”.

Specialistët e FSHZH-së theksuan se “kjo shëtitore do të jetë një vlerë e shtuar për qytetin e Vlorës, vijën bregdetare të tij dhe për pushuesit”.

Kjo shëtitore vjen pas asaj të Lungomares të përuruar në maj të 2017. Ky projekt është cilësuar si më i rëndësishmi në funksion të turizmit në qytetin bregdetar të Vlorës dhe ndër më tërheqësit për turistët vendas e të huaj.

Vlora me brigjet e saj, Karaburunin, Sazanin, Llogoranë, kalanë e Kaninës, Lagunën e Nartës, plazhet e shumtë, monumentet, njerëzit, prodhimet e tokës dhe të detit është gjithnjë e më shumë e frekuentuar nga turistët vendas dhe të huaj./atsh

Loading...