Kryeministri shqiptar, Edi Rama, dha një intervistë për agjencinë franceze, duke theksuar se paqartësia e BE-së ndaj angazhimit në rajon po e dëmton Ballkanin Perëndimor.
Teksa afrohen zgjedhjet e Parlamentit Europian, disa vende, sidomos Franca, kanë zbehur shpresat për anëtarësim.
Rama thotë për AFP se mungesa e qartësisë do ketë pasoja në Ballkanin e brishtë. Madje Rama tha se pikërisht Brukseli e ka fajin për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë në këto komente.
Sipas tij, nëse do ishin liberalizuar vizat me Kosovën, nuk do kishim vendosjen e tarifave ndaj mallrave serbë.
Rama rezervoi edhe një paralajmërim nëse BE vendos të nisë negociatat me Maqedoninë Veriore, duke lënë pas Shqipërinë. Sipas tij, kjo do ishte një “verbëri monumentale në këndvështrim strategjik”.
AFP shkruan se refreni i Brukselit për Shqipërinë është që të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni. Por Rama thotë se fokusi tek krimi është ‘i fryrë’ dhe përdoret për të justifikuar vonesat në fillimin e negociatave.
Ai përfundoi duke thënë se dëshira për të ardhmen brenda BE nuk është zvogëluar në Shqipëri.