Ministrja për Marrëdhënien me Parlamentin dhe njëherësh zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali ka reaguar për protestën e djeshme të opozitës së bashkuar.
Ajo tha se protesta e opozitës nuk tregoi asgjë më shumë nga ajo që të gjithë shqiptarët e dinin që në fillim.
Zëdhënësja e qeverisë përgëzoi dhe iu uroi shërim të shpejtë efektivëve të policisë, të cilat sipas saj u goditën nga një çetë punonjësish të bashkive të djathta.
“Protesta e opozitës nuk na mësoi kurrgjë , përveç se na përsëriti atë që dinim qysh prej ditës së parë: Kush tenton t’i vërë zjarrin këtij vendi, arrin vetëm të digjet vetë.
“Dje u dogj edhe më keq shpresa e të paktëve që besonin se Sali Berisha, Luzim Basha dhe Monika Kryemadhi luftojnë trimërisht për interesat e popullit dhe jo për pushtetin e tyre të humbur.
Pa asnjë ide tjetër për post shkatërrimit dhe asnjë qellim tjetër përveç shantazhimit të shumicës me ura zjarri në gju dhe në duar, këta udhëheqës të diskredituar me një çetë punonjës të bashkive të djathta dhe më një grusht të rinjsh të verbuar nga propaganda e tyre e dhunës dhe e sherrit lanë kokrrën e namit në atë që trumbetuan si ditën e ikjes së Edi Ramës dhe Qeverisë.
Mësynë bulevardin, kryeministrinë dhe Parlamentin e Shqipërisë si një trup pa kokë, pa sy, lëshuan piskamën e ngjirura nga fyti i liderit, që lider kurrë nuk bëhët dhe e mbyllën me turp duke dhunuar policinë dhe duke i vënë zjarrin pronës publike e asaj private.
Për disa orë rresht forcat e policisë u sulmuan nga kapsolla, zjarr dhe benzinë dhe u plagosën pabesisht nga këtë të çoroditurit. Shërim të shpejtë efektivë që iu ra taksirati i përballjes me këtë ushëhumburit në theqafjen e tyre politike dhe morale.
Gjithashtu ministrja Spiropali në fund kishte edhe një mesazh të fortë për opozitën e bashkuar teksa ri-përsëriti se nuk merret pushteti duke hedhur kapsolle dhe ndezur zjarre.
“Një gjë të mos e harrojë askush. Me kapsolle e me zjarre nuk merret pushteti, por vetëm damka e të paaftit për të parë, dëgjuar e menduar, por me këta ose pa këta, hyjmë në zgjedhje s’hyjmë në zgjedhje, ne do të fitojmë jo për vete, por për Shqipërinë që duam”, shtoi ajo, përmes një videoje të shpërndarë në “Facebook”.