Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, dekaroi sot se protesta e dhunshme e opozitës, tregoi për dëshpërim të organizatorëve.
“Tirana përjetoi një ngjarje të pazakontë dhe një protestë të dhunshme. Ajo pati shumë më tepër dhunë dhe tregon dëshpërimin e organizatorëve të protestës. Prandaj pati më shumë masa. Protesta u zhvendos në mënyrë tinëzare nga Kryeministria, drejt Parlamentit duke krijuar dhunë”- tha Lleshaj.
“Pati më tepër dhunë, ky është një lajm i keq që tregon dëshpërimin e organizatorëve. Protesta e mbrëmshme u zhvendos në mënyrë të pabesë, tinëzare nga vendi ku ishte kërkuar tek kryeministri drejt parlamentit duke krijuar pasoja të rënda, duke përfshirë qytetarë të palidhur me protestën e duke sjell dëme. Nga ana e organizatorëve nuk ishin marrë asnjë masë për sigurinë e saj, nuk ishte shpenzuar asnjë burim njerëzor apo material që protesta të zhvillohej brenda hullisë ligjore. Përkundrazi nga organizatorët ishin marrë masa për të hartuar plan sulmi dhe për të përdorur dhunë kundër institucioneve kushtetuese. Gjatë protestës u konsumuan thirrje të hapura antikushtetuese, për dhunë, për revolucion”, deklaroi ministri i Brendshëm gjatë një daljeje për mediet. /j.p/