Vlorë – 2500 banorë të Kaninës me ambulancë tërësisht të transformuar

Rreth 2500 banorë të fshatit Kaninë, por edhe turistët që frekuentojnë këtë zonë turistike tashmë marrin shërbimin shëndetësor në qendrën shëndetësore të rehabilituar.

Kjo qendër shëndetësore është rehabilituar në kuadër të programit të qeverisë për rehabilitimin e 300 qendrave deri në fund të këtij mandati qeverisës.

Ambulanca e Kaninës ofron sot kushte më të mira pune për stafin mjekësor dhe një standard të ri shërbimi për banorët e zonës, por edhe turistët.

Doktor Dashamir Koçi thekson se “është hera e parë që punoj në kushte të tilla dhe ndiej një kënaqësi të jashtëzakonshme”.

Një banor i fshatit Kaninë shprehet se “ndihem i kënaqur nga kushtet e reja”.
Ndërsa infermierja Ferdane Dalipaj thotë se “ndihemi më të kënaqur se duket sikur i ofrojmë më shumë pacientit kur janë kushtet më të mira”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë vizitës në këtë qendër shëndetësore thekson se “ambulanca e Kaninës ofron shërbim shumë më të specializuar edhe në kuadër të investimit që është bërë në këtë ambulancë, dikur në një gjendje të degraduar nuk ofronte dot shërbimin që meritojnë banorët e Kaninës. Sot është e rehabilituar dhe të gjitha pajisjet edhe me ato të ndihmës së shpejtë që ne sapo i sollëm në këtë ambulancë”.

Ambulanca Kaninë është 1 nga 7 qendrat shëndetësore dhe ambulancat e rikonstruktuara në vitin 2018. Kjo ambulancë ofron shërbim shëndetësor edhe gjatë sezonit të verës për rreth 3000 qytetarë.

Në bashkinë Vlorë janë rehabilituar 7 qendra shëndetësore dhe ambulanca me një vlerë investimi 20.5 milionë lekë, për të shërbyer afër vendbanimit për rreth 30 mijë banorë. /atsh

Loading...