Vendimet e Këshillit të Ministrave për rritje page për kategori të caktuara të punonjësve shtetërorë janë publikuar në Fletoren Zyrtare dhe do të apikohen gjatë prillit.
Në këto kategori bëjnë pjesë ushtarakët, mësuesit dhe edukatorët e shkollave dhe kopshteve të sistemit parauniversitar, diplomatët, etj. Në tabelat që riprodhohen në vijim pasqyrohen pagat e reja të grupeve, që shoqërohen me shtesat e posaçme sipas pozicioneve dhe profesioneve, pagat e grupit, pagat për vjetërsi në punë, etj.
Sa i përket sistemit arsimor, një drejtori të arsimit të mesëm paga sipas pozicionit i shkon në 61.000 lekë, ndërsa deri tani ishte 57.750 lekë në muaj. Kjo pagë ka si shtesa pagesën për vjetërsi në punë, si dhe pagesa të tjera në përputhje me nivelin arsimor të drejtorit. Rritja llogaritet në masën 6 për qind. Ndërkohë që për një edukatore kopshti me shkollë të mesme paga bazë shkon nga 31.350 lekë, në 34.000 lekë, me një rritje gati 9 për qind.
Sa u përket ushtarakëve, paga e gjeneralëve dhe paga e gradave të tjera më të larta nuk lëviz, por rritja është e ndjeshme në bazë të piramidës së pagave. Kështu, paga më e ulët, që i përket “ushtarit të parë” tani do të jetë 39.300 lekë, nga 33.600 lekë në muaj, me një rritje prej 17 përqindësh.
Sikurse është deklaruar zyrtarisht kohët e fundit, mbi 65 mijë punonjës përfitojnë nga rritja e pagës, sipas vendimeve të qeverisë, me një kosto vjetore për buxhetin e shtetit prej 3 miliardë lekësh ose 24 milionë eurosh.
Në kategoritë që përfitojnë përfshihen 36 mijë mësues të Arsimit Parashkollor, Arsimit Bazë, Arsimit të Mesëm të Përgjithshëm dhe atij Profesional do përfitojnë rritje të pagës mesatarisht prej 7%; 4.650 mjekë dhe 13.765 infermierë dhe staf shëndetësor me një rritje 7%; 6.800 ushtarakë të cilët përfitojnë një rritje mesatare të pagës mujore në masën 7%; 3.560 punonjës të sistemit penitenciar(policia e burgjeve) të cilët përfitojnë një rritje mesatare të pagës mujore me 7% dhe 308 punonjës të përfaqësive diplomatike jashtë vendit të cilët përfitojnë një rritje të diferencuar të pagës mujore që shkon nga 7-20%.