Një nga biznesmenët më të pasur në Francë dhuroi miliona euro për rindërtimin e Katedrales Notre Dame.
Shefi ekzekutiv i LVMH, Bernard Arnault, ofroi 200 milionë euro për të ringritur simbolin e Francës.
“Familja Arnault dhe Grupi LVMH, në solidaritet me këtë tragjedi kombëtare, janë të përkushtuar për të ndihmuar në rindërtimin e kësaj katedraleje të jashtëzakonshme, simbol i Francës, trashëgimia dhe uniteti i saj.
Ndërkohë, Grupi i LVMH vë në dispozicion të shtetit dhe autoriteteve përkatëse të gjithë ekipet e tij, duke përfshirë specialistë krijues, të arkitekturës dhe të financave, për të ndihmuar me punën e gjatë për rindërtimin dhe mbledhjen e fondeve, që tashmë është në progres e sipër”, shkruhej në deklaratën zyrtare.
Grupi LVMH është një nga bizneset më të njohura franceze për mallrat luksozë dhe përfshinë kompaninë “Moët & Chandon” dhe shtëpinë e njohur të modës “Louis Vuitton”.
Kujtojmë se miliarderi François-Henri Pinault ishte i pari që deklaroi se do të dhuronte 100 milionë euro për të njëjtën kauzë.