Shtëpia e Odise Kasnecit, aktivistit të Rilindjes Kombëtare shqiptare, pinjoll i një prej familjeve më të njohura të Vunoit dhe gjithë zonës së bregut i është nënshtruar restaurimit.
Poeti dhe piktori anglez Eduard Lir (Edward Lear) qëndroi disa ditë në këtë shtëpi në vitin 1848 dhe aq mjaftoi për t’u dashuruar me Vunoin.
Kompleksi i banimit po restaurohet në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës në kuadër të projektit “Rikualifikimi urban i fshatrave Vuno dhe Dhërmi” financuar nga qeveria shqiptare dhe Banka e Këshillit të Europës dhe zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Ky investim po zbatohet në kuadër të programit “Punët në Komunitet IV”. Qëllimi është ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe krijimi i mundësive të reja zhvillimi ekonomik për banorët e zonës.
Projekti po ndërhyn me investime në rikuperimin e shtëpive dhe infrastrukturës së zonën duke ruajtur karakteristikat dhe modelet e veçanta që ka Vunoi.
Fshati Vuno është i pozicionuar në jug të qytetit të Vlorës, në bregun e detit Jon me një pamje mahnitëse. Ai ngrihet në formën e një teatri në këmbët e malit të Çikës. Gjendet paksa larg nga deti në një lartësi 176 m mbi nivelin e detit dhe karakterizohet nga thepishte të gurta të ngritura përmbi rrugicat e shtruara me pllaka të gurta.
Në qendër të fshatit është ndërtuar këtu e dyqind vjet më parë kisha e Panajasë (Shën Marisë). Gjithashtu ndodhen dhe kisha të tjera si ajo e Joan Pagëzuesit, Manastiri i Shën Spiridhonit, si dhe kisha e Shën Mëhillit në pjesën lindore të manastirit, asete të çmuar të trashëgimisë kulturore me mjaft interes për vizitorët dhe turistët e huaj./k.s/j.p/