Vlorë – Monitorim 24 orë me kamera sigurie në të gjitha akset rrugore

Së shpejti në qytetin bregdetar do të ketë një sistem monitorimi me kamera sigurie të të gjitha akseve rrugore për të garantuar rendin, qetësinë publike dhe për sa më shumë siguri.

Kështu deklaroi sot kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, në takimin e zhvilluar në zyrën e tij me drejtorin e ri të Policisë së Vlorës, Artion Duka.

Kryebashkiaku Leli, deklaroi se gjithçka kryhet në interes të qytetarëve të Vlorës, për një frymë të re bashkëpunimi, ndërsa janë evidentuar zonat ku duhet të vendosen.

“Me një frymë të re bashkëpunimi për të gjithë problemet që shfaqen në qytet do të nisim iniciativën e re për të pasur një sistem monitorimi të të gjithë akseve rrugore të qytetit”, – theksoi Leli.

Kreu i bashkisë së Vlorës u shpreh se “ka qenë iniciativë e përbashkët që është mbështetur dhe forcuar ideja nga drejtuesi aktual i Policisë së Vlorës për të pasur monitorim me kamera të të gjitha rrugëve dhe akseve të qytetit”.

Sipas tij, ka qenë rezultativ monitorimi që kemi bërë përmes sistemit të kamerave në Lungomare në kuadër të projektit “Smart City”, i cili ka dhënë impaktin e vet në garantimin dhe dhënien e informacionit në kohën e duhur për të gjitha problemet, ku ka prezencë të shtuar të njerëzve.

“Ajo që duam të gjithë së bashku është evidentimi i të gjitha pikave të rëndësishme ku mund të vendoset sistemi i monitorimit të kamerave 24 orë në 24, për të kontrolluar trafikun e lëvizjes së mjeteve, të kemi një qytet të sigurtë për qytetarët e Vlorës”, – nënvizoi Leli.

Leli shprehu bindjen se në bashkëpunim me drejtorin e ri të Policisë do të ketë gjithmonë produkt më pozitiv për qytetarët e Vlorës.

Drejtori i Policisë së Vlorës, Artion Duka tha se “ndihem i vlerësuar që jam bërë pjesë e këtij qyteti të bukur, ku bashkarisht do na duhet të japim ndihmën tonë për mirëqenien e qytetarëve dhe qytetit”.

“Dua t’ju falënderoj për iniciativën e vendosjes së kamerave të qytetit, pasi siç e dimë të gjithë është një proces pune si i juaji, dhe i joni, që është vërtet rezultativ dhe ka të bëjë me sigurinë e qytetit dhe sigurinë rrugore”.

Leli kërkoi gjithashtu mbështetjen edhe të biznesit që të bëhen pjesë e kësaj iniciative.

“Falënderoj ata që kanë qenë pro dhe bëj apel të tjerëve të bëhen pjesë e shndërrimit të Vlorës në një qytet të sigurt. Jam i bindur që monitorimi ofron garanci më tepër që qytetarët të jenë të sigurt në qytetin tonë”, – tha Leli. /atsh

Loading...