Aksident i rëndë automobilistik me turistë gjermanë

Të paktën 29 persona, shumica prej tyre gjermanë, humbën jetën si pasojë e një aksidenti automobilistik, kur një autobus me turistë u rrëzua në ishullin portugez të Madeiras, raportojnë mediat lokale.

Në këtë autobus ndodheshin 57 persona.

Autobusi u rrëzua poshtë një argjinature në qytetin bregdetar të Kanikos, në lindje të Funkalit, kur shoferi humbi kontrollin në një kthesë.

Shkaku i aksidentit mbetet ende i paqartë, ndërsa mediet vendase raportuan për një gabim mekanik të sistemit të frenimit ose të pedalit të gazit.

Presidenti portugez, Marcelo Rebelo de Sousa theksoi se sipas informacioneve që kishte, pothuaj të gjitha viktimat ishin shtetas gjermanë, edhe pse autoritetet gjermane nuk i kanë konfirmuar ende këto të dhëna./ atsh/

Loading...