Ylltarët e Lumit të Vlorës.
Pamja që shikoni në foto është zona jugore e Lumit të Vlorës.
E populluar qysh në lashtësi edhe emërtimet e toponimeve hyjnore apo qendrat e banimit janë shumë të hershme. Vetë vendi ku unë kam realizuar foton quhet PRESARAN i Velçës.
Më tej Shpella e Shkruar e Lepenicës, Mesapliku (Mesap + lik(g) dhe Cerja. Te shtrati i lumit ndodhet ish vendbanimi i Horës. Në sfond Bogonica, Vranishti dhe “Guri me Qiell”. Studiuesi me origjinë nga Lushnja Mihal Jano (që sot banon në New Jersey) ka ndërmarë një studim specifik pikërisht për këtë zonë. Në një informacion që më ka dërguar enkas për Velçën më shpjegon se në këtë zonë kanë jetuar dikur Elimejtë. Po cilët ishin Elimët? Mjafton ti drejtohesh internetit dhe lexon:
“Elimët, apo të njohur si Elymët, Elimjanët (gr. Elymoi, lat. Elymi) së bashku me Sikelerët dhe Sikanerët ishin kolonizatorët paragrekë të Siçilisë. Elimët, fis pellazgo – ilir që ka banuar në Çamëri dhe Labëri. … Hyllini – Hylli, mos ishin këta Elimët e lashtë” ?
Që te kjo zonë kanë banuar Elimët (Ylltarët e hershëm) e vërtetojnë toponimet “Qafa e Elimit” dhe “Varret e Elimëve” pranë qytetit antik të Horës. Po cilat janë dallimet apo ngjajshmëritë e qytetërimit të hershëm të Velçës me ato të Horës. Mjafton tu referohemi emërtimeve të toponimeve ku rezulton një simbolikë hyjnore thuajse e përafërt. “Ylltarët” e Horës i gjejmë te toponimet “Qafa e Elimit” dhe “Varret e Elimit”. Ndërsa “ylltarët” e Velçës i gjejmë te toponimet “Kapseli” dhe “Qafa e Kapselit”. Kapsel(i) = kap + s + el (i) = Ylli gjendet (është) mbi kokat tona. Mirëpo ylltarët e Velçës shfaqen edhe në një tjetër formë te toponimi M’ëngjilli = ëngj + illi = Ylli Ëngjëll, dmth, ylli i mëngjezit, Ai që lajmëron zbardhjen e ditës (dritës).
Në Horë të Vranishtit kemi toponimet “Bregu i Qytetit”, sikundër, edhe në Velçë kemi toponimet “Qyteti” dhe “Maja e Qytetit”.
Përmbi Horë gjendet i famshmi “Guri me Qiell”, kurse në Velçë gjendet simotra mistike “Shpella me Qiell = Shpella e Atit – Zotit”!
Lexuar një shkrim të Gëzim Llojdia në internet …“Guri me Qiell” i Vranishtit është një monument prehistorik i përhapur në neolitin e vonë dhe në epokën e bronxit.
Kjo vepër e arkitekturës prehistorike ka lidhje me kultet mbivarrore si dhe atë të diellit…”.
Po për ylltarët apo diellorët e Velçës, “Shpella me Qiell” çfarë simbolizonte? “Shpella me Qiell” e Velçës padyshim që është një shpellë e shenjtë e riteve të hershme pagane. Sipas studiuesve apo filozofëve “…të hysh në shpellë do të thotë të rikthehesh te origjina dhe të ngjitesh në Qiell.
Pra të dalësh në botë…”! Kështu që, për predikuesin e hershëm velçiot, vetë “Shpella me Qiell” e fshatit të tyre përfaqësonte frymën shpirtërore, mënyrën e të shkuarit në parajsë, te Zoti (Ati) në Qiell, përtej varrit apo vdekjes në tokë. Bëhet fjalë për ritet e hershme pagane, kur arti i ndërtimit të tempujve nuk njihej akoma ose fare pak, ndaj hyjnizoheshin shpellat dhe pikat më të larta të terrenit.
Siç duket, asokohe, duke sjellë te kjo shpellë e hyjnizuar kufomat mortore, ata shpresonin që shpirti i tyre do të fitonte një lloj “statusi qiellor”, dhe, mbasandaj, prej këtu, do të ngjitej në qiell, pranë Krijuesit “shpirt – dritë”. Kjo shpellë ka përmasat e një dhome të madhe.
ALJOSHA KORKAJ
FIRENZE 2019