Fier – ‘Festa e luleshtrydhes’

Festa e Luleshtrydhes, në vitin e tretë të saj, organizuar nga bashkia e Fierit, këtë herë erdhi ndryshe në Frakull të Fierit.

Panairi i madh i luleshtrydhes këtë vit erdhi me pjesëmarrjen e mbi 50 fermerëve, të prodhimeve vendase, gatimeve tradicionale dhe ëmbëlsirave me luleshtrydhe, të gërshetuara me elementët festivë dhe argëtues.

Ky vit ka qenë i mbarë për kultivuesit e luleshtrydheve në Frakull të Fierit, pasi një vit më parë, nga një dynym, kultivuesit morën 30 kg luleshtrydhe, këtë vit prodhimi kapi rekordin historik 100-150 kg për dynym.

Kësaj feste iu bashkua edhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, i shoqëruar nga kryebashkiaku Armando Subashi, deputetë të qarkut të Fierit dhe qindra qytetarë të ardhur nga zonat përreth dhe Fieri.

”Kjo festë është në kuadër të festave tradicionale lokale. Gjithashtu kjo festë është një arsye më shumë qe Fieri të ketë sa më shumë vizitorë. Fieri po zhvillohet me shpejtësi në gjithë dimensionet turistike duke ofruar jo vetëm bregdetin po dhe zonën kodrinore përqark bashkisë së vjetër duke ofruar shumë më tepër mundësi për agroturizëm”, u shpreh ministri Klosi.

Kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi vuri në dukje rolin e fermerëve në krijimin e zonave me potencial edhe për turistët.

”Jemi kujdesur që nëpërmjet këtij promovimi të nxjerrim ne pah të gjitha këto vlera, jo vetëm ato që kanë të bëjnë me produkte bujqësore dhe blegtorale por dhe promovimin e vlerave kulturore, artistike dhe kulinare”, tha kryebashkiaku Subashi.

Një pjesë e fshatrave të Fierit kultivojnë prej vitesh luleshtrydhe, duke u bërë furnizuesit kryesorë të tregut vendas. Prodhimi në masë i luleshtrydheve të freskëta në Shqipëri, filloi vetëm para disa vitesh, por bëri që ky frut i vogël të kthej sytë e Europës drejt Shqipërisë. /atsh

Loading...