Kopshti botanik “Keukenhof” në Holandë, i njohur si kopshti më i madh në botë i tulipanëve dhe i cilësuar si atraksioni kryesor i vendit, këtë vit mirëpret mysafirët e saj me temën “fuqia e lules”.
“Keukenhof”, një nga kopshtet më të mëdha në botë të luleve, që gjendet në qytetin Lisse, këtë vit hap dyert për herë të 70-të.
Kopshti çdo vit organizon spektaklin e luleve me koncepte të ndryshme, ndërsa tema e këtij viti do të jetë “fuqia e lules”. Fuqia e lules, ngjyrat e ndritshme, stili hipi, paqja dhe muzika përfaqëson atmosferën e viteve ‘70.
Përgatitjet për kopshtin, në të cilin gjenden thuajse të gjitha llojet e tulipanëve, kanë vazhduar me muaj.
Për shkak të jetëgjatësisë së shkurtër të tulipanit, kopshti qëndron i hapur vetëm në muajt prill dhe maj.
Në kopsht mund të shihen fotografë të shumtë duke shijuar spektaklin e ngjyrave, ndërsa po ashtu organizohen edhe ekspozita të ndryshme dhe shfaqje.
Kopshti siguron mbështetje të mëdha nga familja mbretërore. Deri në mesin e muajit maj, ai pritet të vizitohet nga mbi një milion njerëz nga rreth 100 vende.
Sipas të dhënave zyrtare të Keukenhof, në mesin e vizitorëve të kopshtit, prej të cilëve 80 për qind janë turistë të huaj, të parët radhiten gjermanët, francezët, britanikët, kinezët dhe amerikanët.
Kopshti u krijua në vitin 1950 dhe atëherë ishte vizituar nga 236 mijë njerëz.
Keukenhof konsiderohet edhe si platformë ku kultivuesit ekspozojnë prodhimet e tyre.
Edhe pse tulipani origjinon nga Turqia, kjo lule asocohet me Holandën dhe zë vend të rëndësishëm në ekonominë e saj. Holandezët prodhojnë mbi katër miliardë bulbe të tulipanit në vit, ndëra rreth gjysma e tyre eksportohen jashtë vendit. /atsh