LETËRSIA E VJETËR SHQIPTARE
Letërsia e vjetër përbën etapën e parë të zhvillimit historik të letërsisë sonë. Kjo etapë shtrihet në një periudhë kohe prejmë se pesë shekujsh, por për shkak të rrethanave të ndryshme historike, veprat e fazës së saj të hershme (fundi i shek. XIII – shek. XIV) janë zhdukur dhe nuk kanë arritur gjer në ditët tona. Kështu që ne sot për sot zhvillimin e letërsisë shqiptare të etapës së parë, përmes shkrimeve që u kanë shpëtuar rrebesheve të kohërave, mund ta ndjekim duke nisur vetëm nga fundi i shekullit XV e gjer aty nga mesi i shekullit XIX, kur ajo ia la vendin një etape të re, etapës së lindjes dhe të formimit të letërsisë kombëtare shqiptare, që u quajt letërsia e Rilindjes.
Duke lënë mënjanë atë prodhim letrar që duhet të jetë krijuar para shekullit XV, por që ne nuk e njohim, tërë zhvillimin e letërsisë së vjetër mund ta ndajmë në tri faza:
Gjatë fazës së parë (shek XV–fillimi i shek. XVI) u krijuan kryesisht kronika ose vepra të karakterit historik, dëshmi të ngjarjve të mëdha që po kalonte vendi ynë, i cili po kacafytej për jetë a vdekje me fuqinë më të tmerrshme të kohës, me Perandorinë Osmane. Prodhimi letrar i kësaj faze, ndonëse lindi dhe u zhvillua jashtë truallit të Shqipërisë, në klimën e humanizmit evropian, dhe u shkrua thuajse tërësisht në gjuhën latine, që shërbente atë kohë në Evropë si gjuhë e kulturës dhe e dijes, ishte në mënyrën e vet shprehje e jetës shqiptare të kohës.
Faza e dytë (shek. XVI-XVII) është në të vërtetë faza e parë e dokumentuar e letërsisë në gjuhën shqipe.
Brendinë e kësaj faze e formojnë përpjekjet e shkëputura për themelimin e një tradite të gjerë të një letërsie fetare të kultit katolik në gjuhën shqipe, për ta kthyer këtë të fundit në një gjuhë letrare e kulture. Këtyre përpjekjeve në tërësi u mungonte momenti i vetëdijshëm kombëtar dhe njësia kombëtare. Nga ana tjetër, në pjesën dërrmuese të tyre, veprat e autorëve të vjetër, që krijuan në këta shekuj, mund të quhen letërsi vetëm në një kuptim tjetër, shumë më të gjerë nga ai që ka sot në të vërtetë kjo fjalë. Si vepra fetare të përkthyera ose dhe të përshtatura për nevoja të shërbesës kishëtare, ato nuk ishin shprehje artistike e një qëndrimi të caktuar ideor-emocional ndaj jetës.
Gjatë fazës së tretë (shek. XVIII gjysma e parë e shekullit XIX) në njërën anë vijoi tepër e dobët tradita e letërsisë fetare katolike të shekujve XVI-XVII, në anën tjetër zuri fill një prodhim letrar po me karakter fetardidaskalik, por që i drejtohej komunitetit ortodoks dhe, nën ndikimin e kulturës dhe të ideologjisë së pushtuesit turk, lindi letërsia e bejtexhinjve, e cila pasqyroi gjendjen shpirtërore dhe shijet e atyre rretheve shoqërore që u lidhën ngushtë me pushtuesin e huaj.
Një degëzim më vete përbën letërsia e vjetër e arbëreshëve të Italisë, që pati njëfarë vazhdimësie në zhvillimin e saj nga shek. XVI-XVIII. Jo vetëm letërsia e këtij degëzimi, por edhe tri rrethet kulturore-letrare brenda vendit, bënë jetë të izoluar njëri prej tjetrit dhe nuk patën as ndikim të dukshëm reciprok, as rëndësi të përgjithshme kombëtare.
Këto rrethana bënë që në tërësi letërsia e vjetër të zhvillohej e të njihej në mënyrë të kufizuar dhe të shteronte gradualist, duke ia lënë vendin letërsisë së re, e cila u bë shprehëse e interesave të zhvillimit të lëvizjes për çlirim kombëtar.
Në këtë kuptim studimi i letërsisë sonë të vjetër paraqet kryesisht interes historik, njohës, si një moment i caktuar i zhvillimit kulturor të shoqërisë shqiptare.
Dokumentet e para të shqipes së shkruar.
Historia e dokumentuar e letërsisë shqiptare nis vetëm në mesin e shekullit XVI, por zanafillën e shqipes së shkruar duhet ta kërkojmë në kohë më të hershme. Ka disa të dhëna që dëshmojnë drejtpërsëdrejti ose tërthorazi për qenien e një tradite shkrimi në gjuhën shqipe të paktën nga fundi i shekullit XIII, në kohën e lulëzimit të principatave feudale shqiptare. Por veprat e atyre shekujve nuk arritën dot gjer në ditët tona. Ato ose u dogjën, ose u zhdukën në mënyra të tjera në valën e ekspeditave të egra dhe të rrënimeve shkatërrimtare që pësoi vendi ynë nga pushtuesit e huaj, të cilët kanë dashur të fshijnë çdo gjurmë të shkrimit shqip e të rrafshojnë monumentet e kulturës shqiptare. Kështu që ne, tani për tani, nga tradita e shqipes së shkruar para fazës së saj të dokumentuar letrare njohim vetëm disa grimca që i përkasin shekullit XV. kohës së Skënderbeut.
Një frazë e shkurtër shqip (një formulë fetare) në mes të një shkrimi latinisht të vitit 1462, mbahet gjer më sot si i pari dokument i shqipes së shkruar). Edhe dy dokumente të tjera, njëri i vitit 1497) dhe tjetri i fundit të shekullit XV ose i fillimit të shekullit XVI), janë fraza apo fjalë të shkëputura, pa asnjë vlerë letrare, por me interes gjuhësor e historik, si dëshmi të qenies së një tradite shkrimi që duhet të jetë tretur gjatë rrebesheve të kohës.