Mrekullia e natyrës së Divjakës, destinacioni i 60 mijë turistëve në 2019

Peizazhi magjepsës, ku harmonizohen bukur dielli, deti dhe pylli që ofron Parku Kombëtar i Divjakës janë shijuar nga rreth 60 mijë vizitorë vendas e të huaj nga janari deri tani.

Kryetari i bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi, tha për ATSH-në se “Parku Kombëtar i Divjakës është transformuar në një destinacion turistik gjithnjë e më i vizituar nga shqiptarë e të huaj. Nga janari i këtij viti deri tani parku kombëtar Divjakë-Karavasta ka pritur rreth 60 mijë vizitorë, ndër të cilët rreth 8 mijë vizitorë të huaj, ku dominojnë turistët gjermanë, francezë dhe anglezë”.

Sipas tij, numri i turistëve do të ishte shumë më i madh nëse do të përmendnim këtu edhe shkollat nga e gjithë Shqipëria, të cilat pothuajse çdo javë vizitojnë parkun.

Plazhi, laguna dhe pylli që e rrethon janë tre asetet kryesore të zhvillimit të turizmit në Divjakë, krahas monumenteve të kulturës që ndodhen në zonë.

Bashkia e Divjakës gjatë sezonit turistik ofron një guidë prej 5 km në Parkun e Divjakës, ku vizitorët njihen me gjallesat dhe bimësinë e parkut.

Vrojtimi nga kulla panoramike kur qielli është i kthjellët shkon edhe më thellë deri në Malin e Tomorrit.

Me një kullë panoramike, varka për të shëtitur vijë ujore përgjatë gjithë parkut, pyllin e gjelbëruar dhe me larmishmëri shpendësh janë disa nga aventurat që nuk duhen humbur kur viziton këtë park të rijetësuar.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në zonën bregdetare të Shqipërisë, që përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore.

Parku është shpallur si zonë e mbrojtur natyrore për shpendët e ujit, si ligatinë me rëndësi ndërkombëtare sipas Konventës së Ramsarit, që nga viti 1995./atsh

Loading...