Anija “Mati” e Forcës Detare shqiptare shpëtoi 2 peshkatarë në det të hapur, në perëndim të gadishullit të Karaburunit.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, të dielën në mëngjes, 2 peshkatarët kërkuan ndihmë dhe u gjetën 8.8 milje larg Kepit të Gjuhëzës, nga anija e gatshme në ishullin e Sazanit. 2 peshkatarët G.L dhe A.H dhe mjeti lundrues “Syri 2366”, u rimorkiuan pa probleme në Triport.
Edhe më herët Forca Detare ka kryer operacion shpëtimi. Më 23 shkurt të këtij viti Velera Sea Shell me flamur Amerikan, nisur nga Dubroniku me destinacion Sarandën, duke lundruar në hyrje të Kanalit të Korfuzit pësoi defekt në motorë dhe dha sinjalin e emergjencës. Me marrjen e njoftimit Roja Bregdetare angazhoi motovedetën P-03 dhe P-05 të Flotës Detare. Pas rënies në kontakt velera u rimorkiua për në portin e Sarandës duke bërë të mundur shpëtimin e velierës dhe tre personat në bord, të tre më nënshtetësi izraelite: T.L; M. N dhe L.N.
Teksa me 8 shkurt, Forca Detare shqiptare shpëton 3 persona në rajonin e Shën Janit në Karaburun. Mjeti lundrues Aleksi me 3 persona në bord kishte pësuar defekt në linjën e aksit. Mjeti me defekt u rimorkiua në Triport nga anija “Mati” e Forcës Detare./atsh