Ekspertë të këtij sektori shprehen se bimët mjekësore shqiptare vijojnë prej disa vitesh të jenë ndër më të kërkuarat në tregjet e huaja. Rreth 70% e sherebelës që hyn në SHBA është e markës “Made in Albania”.
Shqipëria ka potenciale dhe resurse natyrore të veçanta dhe është me florë të larmishme e të pastër, ndaj dhe bimët mjekësore janë jo vetëm të kërkuara në treg, por edhe një burim i rëndësishëm punësimi dhe sigurimi të ardhurash.
Sipas tyre, tregu vazhdon të ketë sfidë standardet e grumbullimit dhe paketimit të bimëve, për të cilat komunitetit i biznesit të këtij sektori po bën përpjekje mbështetur edhe nga grantet që jep qeveria të përmirësojë teknologjinë e grumbullimit dhe përpunimit të tyre duke zgjeruar kështu tregjet eksportuese.
Eksportet e bimëve mjekësore kanë shënuar rritje të vazhdueshme të vlerës ndër vite, duke ruajtur një peshë mesatare prej 24-28% të totalit të eksporteve agroushqimore. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, vitin e kaluar, shitjet e bimëve mjekësore jashtë vendit rezultuan 3.1 miliardë lekë ose 11% më shumë se një vit më parë.
Sektori i bimëve mjekësore është zhvilluar për shkak të një rrjeti të gjerë të shtrirë në të gjithë vendin.
Për shumë zona, verilindore e juglindore, bimët janë e vetmja mundësi të ardhurash, të cilat sigurohen në sezone të caktuar të vitit. Puna me bimët mjekësore siguron rreth 35% të ardhurave për një familjeje. Ndërkohë që në Shqipëri rriten specie autoktone të bimëve mjekësore, ku 15% e 360 specieve bimore janë mjekësore, aromatike dhe erëza.
Sfida e biznesit që operon në këtë sektor, është rritja e cilësisë dhe standardeve më të mira të grumbullimit dhe paketimit për eksport. /atsh/