Mbjellja e palmave të reja të llojit Feniks në bulevardin e ri “Ismail Qemali” në qytetin bregdetar të Vlorës do të ndihmojnë në ruajtjen e identitetit të qytetit të Vlorës, i njohur ndryshe si qyteti i palmave.
Gjatë ditëve të fundit në bulevardin e ri të Vlorës po mbillen palma të llojit Feniks, të cilat do t’i japin më shumë hijeshi qytetit bregdetar.
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, tha se “mbjellja e këtyre pemëve është rezultat i punës së mirë të njerëzve që punojnë ditë e natë për ta shndërruar bulevardin “Ismail Qemali” në prag të sezonit turistik në një bulevard që do të përdoret nga qytetarët e Vlorës, por edhe nga ata që do të vizitojnë Vlorën në këtë sezon që pritet të jetë ndër më të suksesshmit në vitet e fundit”.
“Bashkia ka mbjellë simbolikën e qytetit, disa ekzemplarë të trajtuar paraprakisht për ti vendosur në bulevard, palmat Feniks, me shpresën e madhe që me trajtimin që do tu bëjmë të kemi ruajtje të këtyre pemëve, siç e dini në gjithë Europën ka pasur një sëmundje të palmave”, – tha Leli.
Kreu i bashkisë së Vlorës u shpreh se prej dy vjetësh po merremi me spërkatjen e palmave që të ruhen nga nga buburreci i kuq, i njohur në gjuhën shkencore si “rinkoforurs feruxhine”, i cili i dëmton ato”.
Gjatë ditëve të kësaj jave Ndërmarrja e gjelbërimit do t’i bashkohet firmë që po punon në territor që të përfundojë mbjellja e pemëve në pjesën më të madhe në bulevard.
Kryebashkiaku Leli falënderoi të gjithë punonjësit e bashkisë dhe firmës që po kryen punimet që janë në mbështetje të çdo ndryshimi që ndodh ditë pas dite në këtë territor.
Qyteti i Vlorës është vlerësuar si qyteti i palmave që prej vitit 1979-1987, kur në Vlorë u mbollën masivisht palma./atsh