Është një gur në formën e një pllake tepër të madhe qiklopike, që rri varur mbi dy gure të tjerë mbajtës dhe merr formën e një sofre, që akoma edhe kësaj dite, nuk ka marr një përgjigje të saktë se kush e ka vendosur ashtu.
Duket sikur vjen nga kohët e paranjeriut.
Ky monument i natyrës apo i një force tjetër të pa perceptueshme nga koha e sotme, ngrihet në majën e malit të Lipes mbi fshatin Vranisht, rreth 50 kilometra larg qytetit të Vlorës.
Shkenca, monumente të tilla i njeh me emrin dolmenë, thënë ndryshe, tipe varresh megalitikë të ndërtuar me gurë të punuar ose jo.
Në disa raste ato ishin vend-prehje, në të tjera vend-sakrifikime apo edhe tempuj të shenjtë ku njerëzit u faleshin perëndive.
Teoria më e “çmendur” është ajo që dolmenët shërbenin si pika kontakti me jashtëtokësorët, kjo sepse ndërtimi i tyre në shumë vende të botës është i lidhur me diellin, dritën dhe energjinë e tij, çka sipas studiuesve, është hasur edhe në piramidat e Egjiptit.
Në Europë janë zbuluar shumë të tillë, më së shumti në Itali, Britaninë e Madhe, Francë, Irlandë, Gjermani, Spanjë etj, por ka shumë të tilla edhe përtej kontinentit si, në Indi, Madagaskar, Afrikën e Veriut e më tej.
Monumentet kanë forma dhe madhësi të ndryshme, ashtu si zonat ku ngrihen. Në Shqipëri, “Sofra e Zotit” ndodhet relativisht larg, rreth 1 orë e 30 minuta në këmbë nga qendra e fundit e banuar që është Vranishti.
Të gjithë në këtë fshat e njohin shtegun që të çon drejt këtij vendi mitik .
Por, si mund ta kenë zhvendosur njerëzit një gur të tillë që peshon rreth 10 tonë. A kanë pasur mjete të tilla me të cilat ta ngrinin në ato kohë të hershme.
Mjafton të thuhet se monumente të tilla datojnë nga 4 deri 9 mijë vite më parë, por për shumë kërkues edhe më hershëm, deri 15 mijë vite më parë. Nuk mund të mos bëhesh disi mosbesues. Megjithatë, askush deri më sot nuk i ka dhënë dot një përgjigje të prerë as mënyrës se si janë ngritur blloqet e gurëve të piramidave të Egjiptit. Edhe për to nuk mungojnë tezat, nga ato më të pranueshmet, tek ato në dukje më absurdet. Ndaj nuk ka pse e njëjta mënyrë të mos jetë përdorur edhe këtë.
Por, elementi i padiskutueshëm nga të gjithë mbetet se këto monumente janë vepër e njeriut.
Banorët e sotëm jetojnë mes këtyre legjendave që, sado të çuditshme të duken, janë pjesë e traditës e gojëdhënave të ruajtura brez pas brezi.
Janë disa monumente të natyrës apo njeriut, që shpesh janë lënë jashtë vëmëndjes së institucioneve përkatëse për t’i ruajtur dhe reklamuar ato si autoktone dhe si destinacione per kuriozët dhe vizitorët.
Kështu, mënjanë janë lënë edhe rrënojat e Kalasë së Horës, që ndodhet shumë afër fshatit Vranisht. Shpella e shkruar e Lepenicës me vizatimet prehistorike është gërvishtur nga njerëz që nu u dinë vlerën. Ndërsa të njëjtin fat kanë pasur edhe shumë monumente të tjera, vepra të njeriut apo natyrës që sot ndodhen në mëshirë të fatit.
Cilado qoftë e vërteta e “Sofrës së Zotit”, ajo duhet të trajtohej si një vlerë kombëtare, si një vlerë historike dhe si një vlerë turistike, siç ndodh në shumë vende të botës për fenomene të ngjashme me të. Prezantimi dhe përshtatja e infrastrukturës për ta sjellë atë sa më afër vizitorëve, nuk do të jetë më vetëm një vlerë historike apo kureshtare, por edhe ekonomike për komunitetin ku ndodhet.