“Ndaj do pi, të dehem,Me magji e ngjyrë, Dhe me Vlorën time, Të kem një fytyrë!” – Poezi nga Qerim Skënderaj

DASHURI E KALTЁR

Seç ka brenda teje,
Një ëndërr magjie,
Që më vjenë si dehje,
Si fllad poezie…

Ka diçka flurore,
Në muzg e mëngjes,
Dhe kur jam i shuar,
Më rrëqeth, më ndez!

Eh, ç’më ngatërrohesh
Kur mbi kodër dal.
Herë të quaj Vlorë,
Herë të quaj vale!

Sa filloj të çmallem
Me një bukuri,
Ti befas më shfaq
Tjetër dashuri.

Ja, sonte më erdhe
Me dy monumente.
Dy mbrojtës lirie,
Roje, në dy dete.

Njëri i rrethuar
Si drita mes syve,
Tjetri i ngujuar,
Sfidë u bënë të dyve.

Muzgu vjenë i lehtë
Si flutur me ngjyra.
Kreh flokët e drejtë
Përmbi dy pasqyra.

Të dyja në mes
Nga një sy të blertë,
Që ndrijnë si vesë
Dhe shuajnë rrufetë.

Unë bëhem me krahë
Të marr lartësi,
Spaktator i ndjerë
Mbi parajsë të rri!

Të sodis dy dete,
Përbri dy gadishuj,
Dy “liqerë” sy drite,
Rrethuar dy ishuj.

Të gjithë pikturuar
Në të njëjtin “Gji”.
Natyra ka shkruar:
VLORA – MREKULLI!

Ndaj do pi, të dehem
Me magji e ngjyrë,
Dhe me Vlorën time,
Të kem një fytyrë!

Loading...