Aksi nacional në Borsh pastrohet brenda 24 orëve, mirëpret sot “South Outdoor Festival”

“South Outdoor Festival” nis sot në një nga fshatrat më piktoreskë të Shqipërisë së Jugut, i njohur për ujin e kristaltë, plazhin e mrekullueshëm dhe natyrën mbresëlënëse, Borsh.

Vizitorët e shumtë që do shijojnë këtë festival do kenë mundësi të shijojnë dhe një mjedis të pastër, pasi aksi nacional në Borsh ndryshoi brenda 24 orëve nga një vend i ndotur me plehra të lëna nga piknikët e vizitorëve, në një peizazh të pastër nga institucionet përkatëse.

”E pastruam përmes programit “Menaxhimi i Integruar i Mbetjeve dhe Parandalimi i Mbetjeve Detare në Ballkanin Perëndimor” GIZ dhe sot është gati për të pritur ashtu siç duhet të gjithë miqtë e një festivali shumë të bukur që fillon sot. South Outdoor Festival sjell një larmi aktivitetesh, edhe mjedisore, gjatë gjithë fundjavës. Ejani, argëtohuni dhe mos harroni: Mbani pastër mjedisin, që ta gjeni sërish pastër”, shprehet zv.ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Ornela Çuçi.

Ky festival është festa e gjithçkaje që mund të shijoni në natyrë, sport, kulturë, traditë, muzikë dhe kulinari. Vendi i festivalit do të jetë mes fushave të Groove Olive, 400 metra nga bregu, në rrugën e shtruar që të çon në det.

Janë 32 aktivitete të ndryshme në natyrë, pranë brigjeve të kaltra të Jonit, që ky festival prezanton në edicionin e tij të tretë.

Një koleksion i mrekullueshëm i talenteve muzikore, me akte dhe skena shumë më të mira se shumica e festivaleve të lirë, do të performojnë çdo ditë, ndërsa birra, vera dhe shitësit e ushqimeve do të jenë në dispozicion për të gjithë pjesëmarrësit.

Për të gjithë ata që duan të përjetojnë misteret e jugut të Shqipërisë ”South Outdoor Festival” është aventura perfekte deri më 29 prill. /atsh

Loading...